Regjistri i kredive/ BSH: Individët dhe subjektet për herë të parë akses

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Individët dhe subjektet do të kenë për herë të parë akses në Regjistrin e Kredive, për të dhënat e tyre mbi huamarrjet që kanë në bankat tregtare.

Banka e Shqipërisë përmes rregullores së re i ka hapur rrugë individëve dhe subjekteve të biznesit të kenë akses direkt në regjistrin e kredive, për të marrë shërbimin e gjenerimit të raportit të kredimarrësit.

Për të marrë akses në Regjistrin e Kredive, qytetarët fillimisht duhet të regjistrohen në Platformën Online të Regjistrit të Kredive, të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë për të krijuar llogarinë e tyre në sistem.

Pas kësaj ata duhet të paraqiten pranë Bankës së Shqipërisë, për të përfunduar fazën e miratimit të llogarisë dhe më pas të aksesojnë shërbimin që  duan të marrin huamarrjet e tyre.

Regjistri i Kredive është i aksesueshëm nga institucionet financiare (banka etj.), ku për të marrë shërbimin e gjenerimit të raportit të kredimarrësit është i detyrueshëm paraprakisht miratimi nga vetë individi.

Regjistri i kredive përmban të dhëna për 650 mijë individë dhe 21 mijë biznese kredimarrëse. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.