Një antitrup monoklonal bllokon metastazën e kancerit të gjirit

ROMË, 25 janar /ATSH-ANSA/ – Falë një antitrupi monoklonal është e mundur të bllokohet zhvillimi i metastazave te kanceri i gjirit, sipas rezultatit të arritur nga një studim ndërkombëtar i botuar në revistën shkencore ”Oncogene”, i cili u krye nga Spitali Universitar Campus Bio-Medico dhe nga ”Inserm” i Lyon, falë edhe punës së grupeve kërkimore të Institutit ”Curie” të Parisit dhe të Universitetit të Hamburgut.

Ekipi studiues  ka identifikuar integrin alfa5 si një nga faktorët më të përfshirë në proceset e metastazës kockore.

Këto procese mund të jenë përgjegjëse për fillimin e rikthimit edhe vite pas përfundimit të trajtimeve kirurgjikale dhe ndihmëse.

Studiuesit vunë në dukje se antitrupi monoklonal Volociximab vjen për të bllokuar veprimin e proteinave.

Efikasiteti i lartë i Volociximab në frenimin e formimit të metastazave kockore u demonstrua fillimisht në modelet ”in vitro” dhe më pas ”in vivo”, në laboratorët e onkologjisë përkthimore të Universitetit Campus Bio-Medico të Romës dhe të ”Inserm” të Lyon.

“Proteina alfa 5 integrinë është ‘grepi’ me të cilin qeliza tumorale lidhet me fibronektinën, e cila është shumë e pranishme në mikromjedisin kockor. Ngjarja e parë që çon në zhvillimin e metastazave, bllokohet nga Volocixamab i cili ndërhyn në dy molekulat dhe ndalon përhapjen e tumorit në kockë. Rezultati është shumë premtues edhe sepse ilaçi është i sigurt, ai tashmë është testuar dhe nuk është toksik”, shpjegon Francesco Pantano nga Njësia Mjekësore e Onkologjisë e Spitalit Universitar Campus Bio-Medico.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.