Nafta falas/ Ekonomi: Skema e mirëpërgatitur, rrit fitimet e fermerëve

TIRANË, 25 janar/ ATSH/ Në të gjithë vendin vijojnë aplikimet e fermerëve me NIPT në portalin e-Albania për të përfituar naftën falas. Skema e re e subvencionit do të ulë kostot e prodhimit dhe do të rrisë më shumë fitimet e fermerëve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë një interviste në medie, tha se ndarja e naftës bëhet përmes sistemeve elektronike dhe se të gjithë ata që punojnë në fshat, duhet të njehsohen si operatorë ekonomikë. Po ashtu ajo siguroi se skema është e mirëpërgatitur dhe se nuk do të ketë mundësi për abuzime.

“Nuk ka të bëjë me si është ndarë toka, por duhet të jesh i regjistruar dhe të kesh nipt. Të gjithë ata që punojnë në fshat, duhet të njehsohen si operatorë ekonomikë. Nafta i jepet çdo fermeri që punon në çdo kulturë bujqësore, përjashtuar ullirin. Ne kemi një shërbim digjital në vend, e-Albania. Edhe ndarja e naftës bëhet përmes këtyre sistemeve elektronike”, tha Ekonomi.

Sipas saj, për të arritur deri në këtë skemë është punuar që vitin e kaluar dhe u desh shumë kohë.

Ekonomi foli edhe për programin e Partisë Socialiste. Menaxhimi i situatës pas tërmetit dhe pandemisë ka treguar, tha ajo, që kjo mazhorancë ka në fokus qytetarin.

“Ne u përballëm me një ngjarje natyrore që nuk e ka në dorë asnjë, që është tërmeti dhe duhet të ishte shumë e rëndësishme mënyra sesi ne reagonim. Rindërtimi është një pikë shumë e fortë që ka edhe historinë e vet. E rëndësishme është vendosja në qendër e qytetarit, e mbrojtjes së tyre sociale dhe shëndetësore. Edhe ardhja në ndihmë ndaj të gjitha familjeve në nevojë ishte diçka e rëndësishme për PS”, theksoi ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.