Merr formë lagjja e re në Fushë-Krujë/ Zonë rezidenciale model për familjet e varfra ose me të ardhura të mesme


TIRANË, 25 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fushë-Krujë, ku krahas shtëpive që po marrin formë dita-ditës në lagjen e re të Rilindjes, nis puna për banesat kolektive, të cilat do të jenë gati në vjeshtë.

I shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Rama pa nga afër lagjen e re të Fushë-Krujës ku po ndërtohen 8 pallate me 120 apartamente, si dhe 128 njësi individuale.

“Kjo është bërë zonë rezidenciale. Tani duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe sistemimeve jashtë me mbjelljen e pemëve dhe gjelbërimin që të marrë formë tamam. Këtu duhet të ngrihet një strukturë menaxhimi që të mos filloj historia vër lloj-lloj gardhesh, por të jetë tamam si ato zonat rezidenciale që janë të menaxhuara”, tha Rama.

Ai kërkoi që të bëhet një kontratë me çdo banor që këto janë detyrimet, dhe të përcaktohen sipërfaqet që ka secili me gardhin që do të vendoset nga projekti. “Kjo do të jetë spektakël fare, por gjithë puna është te menaxhimi që të qëndrojë siç duhet, siç janë zonat rezidenciale kudo”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi po ashtu të bëhet kujdes me hapësirat e ndërmjetme edhe nga pikëpamja e qëndrueshmërisë së truallit, të mbillet bari, shtigjet këmbësore, pemët etj.

“Kjo është si duhet të jetë një lagje rezidenciale model. Shqipëria i ka, por i kanë të pasurit. Tani është lagje rezidenciale model ku ata që hyjnë nuk janë pasur, janë të varfër apo janë familje me të ardhura mesatare”, tha Rama.

Ministri Ahmetaj theksoi se “pallatet mbarojnë deri në gusht ndërsa njësitë individuale në fillim të pranverës. Në shtator këtu do të jetë një lagje model. Nga procesi i rindërtimit në maj-shtator këtu do të jenë përfunduar të gjitha”.

Ahmetaj tha se të parat do të strehohen familjet e rreshtuara si prioritare nga ato me ndihmë ekonomike, nëna të vetme, pensionistët, familjet e policëve të vrarë në detyrë, pastaj vazhdojmë me shortimin.

“Janë rreth 250 familje që do të jetojnë komplet ndryshe këtu”, shtoi ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.