JAPONI – Spitalet drejt ezaurimit të kapaciteteve pas rritjes së rasteve me COVID-19

TOKIO, 25 janar /ATSH-AA/ – Mbi 15 000 pacientë me COVID-19 janë në listat e pritjes për t’u shtruar në një spital ose një strehim të caktuar në Japoni, sipas Kyodo News.

Ndërkohë që numri i personave të sapo infektuar është rritur ndjeshëm që nga nëntori, më shumë persona të infektuar janë detyruar të presin në shtëpi për shkak të mungesave të kapaciteteve, ka zbuluar një studim i Kyodo News.

Agjencia e lajmeve vëzhgoi 11 prefektura që janë në gjendje të jashtëzakonshme që nga fillimi i këtij muaji. Situata është veçanërisht e vështirë në kryeqytetin Tokio, i cili ka numrin më të lartë të personave të infektuar, 7 539.

Sipas masave të reja, popullsisë i është kërkuar të shmangë daljet e panevosjhme, ndërsa restoranteve u është kërkuar të shkurtojnë orarin e punës.

Japonia ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë Pfizer-BioNTech, Oxford-AstraZeneca dhe Moderna për marrjen e vaksinës antiCOVID-19.

Punonjësit shëndetësorë pritet të jenë të parët për vaksinim, të ndjekur nga personat më të moshuar se 65 vjeç./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.