Doracaj nga Korça, apel qytetarëve të pajisen me kartë identiteti, garantojnë shërbimet dhe pjesëmarrjen në zgjedhje

TIRANË, 25 janar/ ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo gjatë një vizite pune në zyrat e kompanisë ‘Aleat’ dhe gjendjes civile në bashkinë e Korçës u bënë thirrje qytetarëve, të cilëve u ka skaduar afati i kartave të identitetit, të aplikojnë.

“Karta ID është dokumenti i vetëm identifikues i çdo banori në bashkinë e Korçës, por edhe në të gjithë vendin. Është dokumenti bazuar në të cilin institucionet shtetërore por edhe institucione private ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve. Prandaj pajisja me një kartë identiteti të vlefshme është jo vetëm një detyrim ndaj qytetarëve, por është mënyra përmes ata mund të marrin shërbime nga këto institucione”, tha Filo.

Ai informoi se ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh, të cilëve u ka skaduar karta ID, për shkak se është plotësuar afati dhjetëvjeçar, dhe tani do të duhet të riaplikojnë për këto karta ID.

Pajisja me kartë ID, shtoi Filo, përveç marrjes së shërbimeve të nevojshme për qytetarët, është shumë e rëndësishme edhe për të kryer detyrën e tyre në procesin zgjedhor.

“Ju e dini që në 25 prill kemi zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri dhe votimi mund të kryhet duke pasur ose një kartë identiteti të vlefshme, ose një pasaportë të vlefshme. Prandaj pajisja me kartë i shërben edhe pjesëmarrjes në zgjedhje”, deklaroi Filo.

Filo siguroi se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe kompanisë ‘Aleat’ janë marrë masat që zyrat të punojnë me orare të zgjatura, të punojnë edhe ditën e shtunë, edhe zyra e bashkisë së Korçës, edhe zyra tjetër që ndodhet në njësinë e Bulgarecit, në rast se do të lindë e nevojshme, mund të hapen edhe zyra të tjera, në njësitë e tjera administrative që procesi të ecë me shpejtësi maksimale dhe banorët të mos kenë asnjë vështirësi apo pengesë për pajisjen me këto karta ID.

Drejtor i DPGJC, Doracaj, vuri në dukje se ministria e Brendshme ka filluar turin e takimeve dhe të sensibilizimit të qytetarëve, të gjithë shtetasve që u ka skaduar dokumenti biometrik i vlefshëm, në të gjithë bashkitë e vendit.

“Nuk jemi më në të njëjtat kushte që ishim disa vite më parë kur një qytetar duhet të priste me orë të tëra në radhë në kushte aspak të përshtatshme për një shtetas. Sot jemi në kushte, siç e shikoni, absolutisht shumë komode, bashkëkohore, për çdo shtetas dhe prandaj kemi një arsye më shumë që t’u kërkojmë të gjithëve të vijnë dhe të posedojmë dokumentin”, tha ai.

Karta ID apo letërnjoftimi elektronik, shtoi ai, nuk është thjesht vetëm dokumenti me të cilin qytetari me 25 prill mund të shprehë bindjet e tij politike, por çelësi për të përfituar të gjitha shërbimet në institucionet publike dhe private.

“Gjithashtu kemi lehtësuar ndjeshëm procedurën e aplikimit. Mjaftojnë vetëm pak sekonda me dokumentin e vjetër biometrik, dhe kuponin e blerë pranë zyrës së Postës Shqiptare për t’u paraqitur dhe në pak ditë dokumenti vjen mbrapsht. Çdo shtetas, i cili posedon një dokument të skaduar mund të riaplikojnë në cilëndo zyrë të gjendjes civile, jo vetëm brenda bashkisë së Korçës por edhe në bashkitë e tjera të territorit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Doracaj.

Doracaj bëri të ditur se janë rreth 700 mijë shtetas që ju ka skaduar karta ID.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.