Deti i trazuar shkakton vonesa në nisjen e trageteve nga Bari dhe nga Durrësi

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Katër tragetet që lundrojnë në linjat Durrës-Bari dhe Bari-Durrës janë nisur me disa orë vonesë nga portet respektive në të dy anët e Adriatikut.

Burime nga Dispeçeria e Përgjithshme në APD, bëjnë të ditur se shkak është bërë deti i trazuar dhe era e fortë me shpejtësi mbi 20 km/orë  në brigjet detare.

Sipas të njëjtave burime, tragetet “Francesca” dhe “Rigel” që janë nisur nga Bari sot në orët e para të ditës pritet të mbërrijnë në Durrës rreth orës 13:30, me një vonesë prej 5-6 orësh.

Ndërkaq, mësohet se tragetet “Bari” dhe “Allegra” të linjës Durrës-Bari që duhet të fillonin lundrimin mbrëmë rreth orës 23:00 janë nisur nga porti më i madh i vendit sot rreth orës 06:00.

Dispeçeria e APD-së, bën me dije se sot në mbrëmje parashikohet përsëri erë e fortë dhe det i trazuar./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.