COVID-19 – Vaksina e Modernas efikase kundër variantit britanik dhe afrikanojugor

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-AFP/ – Vaksina e Modernas kundër COVID-19 mbetet efikase kundër variantit britanik dhe afrikanojugor të koronavirusit, njoftoi sot kompania bioteknologjike amerikane në një komunikatë.

“Ekspertët presin që vaksina të mbrojë kundër varianteve të zbuluara”, konfirmoi ajo në përfundim të provave.

Moderna theksoi gjithashtu se do të punonte për të zhvilluar një dozë shtesë për të rritur më tej mbrojtjen ndaj këtyre varianteve.

“Studimi nuk tregoi një ndikim të rëndësishëm në nivelet e antitrupave kundër variantit B.1.1.7 krahasuar me variantet e mëparshme,” shpjegoi Moderna për variantin britanik.

“Në të kundërt, u vu re një zvogëlim gjashtëfish në nivelet e antitrupave kundër variantit të Afrikës së Jugut (B.1.351). Por megjithë këtë zvogëlim, nivelet e antitrupave mbeten mbi ato që priten si të nevojshme për të siguruar mbrojtje”, shkruan Moderna.

Për të studiuar ndikimin e vaksinës së saj, të quajtur mRNA-1273, Moderna mori mostra gjaku nga tetë persona që kishin marrë dy doza të ilaçit të saj dhe disa primatë të cilët ishin gjithashtu të imunizuar.

“Ne jemi të inkurajuar nga këto të dhëna të reja, që rrisin besimin tonë në faktin që vaksina Moderna kundër COVID-19 duhet të mbrojë kundër varianteve të reja të zbuluara”, deklaroi kreu Stéphane Bancel.

“Por si një masë paraprake, (…) ne jemi duke testuar një kandidat për një përforcues kundër variantit afrikanojugor për të përcaktuar nëse do të ishte më efektiv në rritjen e niveleve të antitrupave kundër këtij varianti. dhe variante të tjera të mundshme në të ardhmen”, shtoi ai.

Kompania do të testojë gjithashtu ndikimin e injektimit të një doze të tretë të vaksinës së saj tashmë ekzistuese.

Rezultatet e provave, të kryera në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Amerikan të Shëndetit (NIH), do të paraqiten për studim nga komuniteti shkencor./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.