“41 % ulje e numrit të aksidenteve rrugore krahasuar me vitin 2013″/ Gonxhja: Kemi kapur objektivin e BE-së

TIRANË, 25 janarATSH/ Megjithëse numri i mjeteve në qarkullim është rritur me 60 % në 2020-ën krahasuar me 2013-ën, numri i aksidenteve është ulur me 41 %, ndërsa vdekshëria në aksidente u ul me 61 %, krahasuar me 2010-n.

Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur se falë investimeve të kryera në infrastrukturën rrugore dhe politikave të ndjekura për rinovimin e flotës së mjeteve në qarkullim, kemi sot më pak aksidente dhe më shumë siguri rrugore.

“41 % ulje e numrit të aksidenteve rrugore krahasuar me vitin 2013. Krahasuar me vitin 2010 kemi 67 % ulje të vdekshmërisë për 10 mijë mjete në qarkullim dhe 60 % mjete më shumë në qarkullim”, tha Gonxhja.

Gonxhja tha se ka sot 86 % më shumë drejtues mjetesh krahasuar me 2010-ën.

Gjithashtu vuri në dukje ai, ka progres në sigurinë rrugore krahasuar me vitin 2019.

“Është 0.016 % mundësia që një i sapopatentuar të shkaktojë aksidente rrugore dhe është ulur me 35 % mundësia e përfshirjes së drejtuesve të mjeteve të moshës deri në 24 vjeç në aksidente”, theksoi Gonxhja.

Sipas tij, kemi 22 % më pak qytetarë të përfshirë në aksidente rrugore.

“Kemi kapur objektivin e Bashkimit Europian për uljen e numrit të viktimave me 50 % në krahasim me 2010-ën. Mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian është -21 %”, deklaroi ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.