Meta dekoron mundësit e shquar Fuat Brahi, Alfred Bardeli, Shkëlqim Troplini dhe Hysen Omi me titullin “Mjeshtër i Madh”

TIRANË, 24 janar/ATSH/-Presidenti Ilir Meta dekoroi katër mundësit e shquar Fuat Brahi, Alfred Bardeli, Shkëlqim Troplini dhe Hysen Omi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh’’.

Presidenti e vlerësoi Fuat Brahi, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në sportin e mundjes së lirë, sportist i Klubit sportiv ‘Teuta’ dhe Ekipit Kombëtar. Sportist kampion dhe trajner i rezultateve në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Trajneri dhe kampioni i mundjes klasike Hysen Omi u dekorua me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe rezultatet e larta në mundjen klasike. Sportist e trajner i talentuar, me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Mundësi i shquar, Alfred Bardeli, ju akordua Titulli i lartë, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në sportin e mundjes. Sportist i talentuar me rezultate të larta të arritura në veprimtarinë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa sportistit të mirënjohur, Shkëlqim Troplini, Titulli “Mjeshtër i Madh” ju akordua “Për kontributin dhe talentin e spikatur në arritjen e rezultateve të larta në sportin e mundjes së lirë, me ekipin sportin ‘Teuta’, si dhe në përfaqësimin me denjësi të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Meta tha se “këta sportistë, që janë stërvitur dhe kanë garuar në kushte të vështira dhe me mundësitë minimale, janë me të vërtetë elitarë dhe legjenda në të gjitha kategoritë sportive të mundjes shqiptare. Me pasionin, përkushtimin dhe talentin, ata u bënë personalitete në sport, duke fituar cilësi, që spikatën në formimin e individualitetit të tyre si kampionë. Ata u bënë autoritete të mundjes, duke e vendosur këtë disiplinë sportive, në elitën e sporteve në vendin tonë”.

Pasditen e sotme, presidenti Meta nëpërmjet një ceremonie solemne, çmoi karateistin, trajnerin dhe ekspertin e talentuar, nver Cakiqi me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për pasionin, përkushtimin dhe karrierën e suksesshme si sportist i karatesë; për arritjen e rezultateve të larta ndërkombëtare dhe angazhimin në themelimin dhe zhvillimin e sportit të karatesë në Shqipëri. Respekti, miqësia dhe thjeshtësia janë shembull frymëzimi për karateistët e ardhshëm”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar karateistit të dalluar të lindur në Kosovë, familjarëve dhe kolegëve të tij, personaliteteve, trajnerëve dhe gazetarëve sportivë të pranishëm, Meta u shpreh se “ndryshimet e para demokratike në vitin 1991, sollën në Shqipëri nga Llapashtica e Kosovës edhe mjeshtrin e kampionin e karatesë, Enver Cakiqi”.

“Kam kënaqësinë të vlerësoj në këtë ceremoni  kontributin e madh në themelimin, masivizimin dhe rezultatet e këtij sporti, falë edhe punës të këtij mjeshtri, trajneri dhe eksperti të jashtëzakonshëm të karatesë”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.