FRANCË – Michel: BE kërkon transparencë nga kompanitë mbi vonesat e vaksinave antiCOVID-19

PARIS, 24 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel kërkoi sot që kompanitë farmaceutike të japin prova transparence mbi shkaqet e vonesave për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19, të njoftuara nga AstraZeneca dhe Pfizer.

“Ajo që kërkojmë nga këto kompani, është një dialog transparent”, deklaroi Charles Michel në emisionin “Le Grand Rendez-vous” të radios franceze Europe 1, për stacionin televiziv “CNEWS” dhe të përditshmen “Les Echos”.

“Sigurisht (…) që ne synojmë të zbatojmë kontratat të cilat janë vërtetuar nga kompanitë farmaceutike”, theksoi presidenti i Këshillit, i cili përfaqëson 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

“Por, kur u njoftuan vonesat prej disa javësh nga Pfizer, u pa që ne reaguam vendosmërisht, përplasëm grushtat në tryezë dhe më në fund vonesat e paralajmëruara prej disa javësh u ulën”, theksoi ai.

Charles Michel, megjithatë, tregoi mirëkuptim për vështirësitë industriale që hasin laboratorët.

“Ne e kuptojmë mirë kur ka kompani që duhet të krijojnë zinxhirë prodhimi se mund të ketë pengesa, në një moment mund të ketë vështirësi në furnizimin e lëndëve të para që janë të nevojshme”, shtoi ai.

“Ajo që është jashtëzakonisht pozitive është se njerëzimi ishte në gjendje brenda pak muajsh të prodhonte vaksinat. Ne e dinim që zbatimi do të ishte i vështirë”, nënvizoi Michel.

Pas vonesave të njoftuara nga Pfizer në shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19, një njoftim i ngjashëm nga AstraZeneca shkaktoi shqetësim dhe zemërim në Europë, i përfshirë në një garë shpejtësie për shfaqjen e varianteve të reja më të rrezikshme të COVID-19.

BE ka nënshkruar gjithsej gjashtë kontrata vaksinash me kompani farmaceutike dhe është në diskutim me dy të tjera, për më shumë se 2,5 miliardë doza të mundshme./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.