COVID-19 – Gjermania do të përdorë trajtimin eksperimental të Trump

BERLIN, 24 janar /ATSH-AFP/ – Gjermania do të bëhet vendi i parë i Bashkimit Europian që do të përdorë kundër COVID-19 trajtimin eksperimental të administruar nga Donald Trump, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.

“Qeveria ka blerë 200 000 doza për 400 milionë euro”, deklaroi Spahn për gazetën “Bild am Sonntag”, që do të thotë 2 000 euro për dozë.

“Ky koktej antitrupash “monoklonal” do të përdoret në spitalet universitare javën e ardhshme”, theksoi ministri, duke shtuar se Gjermania ishte “vendi i parë në BE” që po e përdor atë në luftën kundër pandemisë.

Spahn nuk e përmendi emrin e prodhuesit i cili do të furnizonte ilaçin por konfirmoi se ishte i njëjti trajtim që iu dha Trump në fillim të tetorit.

Ky i fundit, në atë kohë president i SHBA-së, ishte prekur nga COVID-19 dhe ishte shtruar për pak kohë në spital.

“Këto antitrupa sintetikë “veprojnë si një vaksinim pasiv”, theksoi Spahn.

“Administrimi i këtyre antitrupave gjatë fazave fillestare të infeksionit mund të ndihmojë pacientët me rrezik të lartë të shmangin një zhvillim më të rëndë.

Këto antitrupa imitojnë atë që bën sistemi imunitar pas infektimit me koronavirusin duke bllokuar majën e virusit që e lejon atë të bashkohet dhe të depërtojë në qelizat njerëzore.

Trump mori këtë trajtim të  zhvilluar nga laboratori amerikan Regeneron, një kombinim i dy antitrupave të njohur si REGN-COV2, madje edhe para se të autorizohej në fund të nëntorit nga Agjencia amerikane e Medikamenteve.

Kompania amerikane Eli Lilly ka zhvilluar një trajtim të ngjashëm, i autorizuar më 9 nëntor./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.