Veliaj: PD-LSI po përpiqen të fusin në Parlament prokurorë dhe gjyqtarë të përzënë nga Vetingu

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje të gjithë demokratëve dhe LSI-stëve të zhgënjyer që të bashkohen me familjen socialiste.

Nga një takim me strukturat e PS në Rrogozhinë, Veliaj deklaroi se një parti familjare si LSI dhe PD po ofrojnë si kandidatë për parlamentin e ardhshëm ish-prokurorë dhe gjyqtarë që i ka përzënë vettingu dhe janë objekte të OFL-së.

“Nëse ka demokratë të ndershëm, të cilët thonë nuk mund të jem me dikë që në opozitë vë gjoba, që braktis protestën e rrugës së Kombit, Astirit sapo merr plaçkën e vet të radhës; nëse ka demokratë të ndershëm si ata që janë bashkuar me ne, u themi mirë se erdhët. Lajmi i parë i mirë i kësaj fushate është që Partia Socialiste është në majë. Lajmi i dytë i mirë është se një parti familjare, ose më saktë një sh.p.k, e atyre që kanë 30 vite që bëjnë lëmsh Shqipërinë, po reduktohet kokoshi një thelë. Nuk mund të ketë forca politike që në vitin 2021 marrin prokurorë dhe gjyqtarë, që i ka përzënë vettingu dhe janë objekte të OFL-së, e na i sjellin për t’i futur në parlament. Edhe komunitetit çam të Rrogozhinës, që është bashkuar me PS, u themi mirëseardhët. Ne nuk do ta shesim kurrë detin”, deklaroi Veliaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.