TIRANË, 23 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut të organizuar nga Myftinia e Durrësit, në kuadër të nismës “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Meta shprehu falenderime dhe mirënjohje për të gjitha komunitetet fetare, që i janë bashkuar kësaj kauze humane, duke u bërë thirrje besimtarëve të dhurojnë gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikët dhe të sëmurëve kronikë.
Në një prononcim për mediat, Presidentit Meta vuri në dukje se “ky është një vit i vështirë për të sëmurët talasemikë dhe të sëmurët kronikë, të cilët kanë nevojë të vazhdueshme për gjak, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, që për shkak të masave kufizuese, ka ndikuar në uljen drastike të numrit të dhuruesve”.
“Ishte kënaqësi të vizitoja sot, Myftininë e Durrësit dhe mbi të gjitha të isha dëshmitar i një seance model të dhurimit të gjakut, të organizuar me thirrjen e Myftinisë së Durrësit dhe të Myftiut, Redin Quku. Ishte kënaqësi të shikoja shumë besimtarë, në veçanti të rinj dhe të reja, që i ishin përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje”, tha Meta.
“Është një moment i rëndësishëm, për të intensifikuar procesin e dhurimit të gjakut, pasi kufizimet për shkak të pandemisë e bëjnë edhe më të domosdoshme angazhimin e vullnetarëve, për të kontribuar, për të mos munguar gjaku për fëmijët talasemikë, si dhe për të gjithë ata që kanë nevojë jetike për të”, u shpreh ai. /j.p/