Rruga e re e Kalasë, do të ndryshojë krejtësisht cilësinë e ofertës turistike të Beratit

TIRANË, 23 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër punimet që po kryhen në rrugën e re të Kalasë së Beratit, e cila do të ndryshojë krejtësisht cilësinë e kësaj oferte të rëndësishme turistike.

Rama theksoi se “rruga e re do të mundësojë një akses të lehtë për makinat nga faqja e kodrës duke çliruar përfundimisht prej makinave rrugën e brendshme këmbësore drejt Kalasë”.

Kryeministri kërkoi që paralel me këtë investim që po realizohet me parametra optimalë, të nisë edhe puna në sheshin e qytetit.

“Duhet të fillojmë punën për atë sheshin e madh poshtë. Është koha për ta hequr shkollën, atë ngrehinën, karakatinën dhe të hapet sheshi, të lidhen ato objektet e kultit. Ajo do të jetë pastaj graviteti i ri për Beratin”, tha Rama.

Kryeministri u interesua edhe për vijimin e punimeve në rrugën që lidh Beratin me Fierin, për të cilën hapet këto ditë oferta dhe shumë shpejt në harkun kohor të një muaji lidhet kontrata.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se “ajo është rruga ku ka më shumë prodhim bujqësor dhe është një arritje e jashtëzakonshme, është një rrugë historike që do të ndihmojë shumë Beratin”.

Ndërkohë duke informuar mbi punimet në rrugën e Kalasë, kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo e cilësoi atë një investim strategjik për qytetin e Beratit.

“Pas zgjidhjes së problemit të shpronësimeve tashmë ka filluar dhe konsolidimi i veprave të artit që janë parashikuar për shkak se rruga zgjerohet me të gjitha parametrat. Në të gjithë gjatësinë e rrugës tani po punohet duke përfshirë edhe segmentin që është duke u trajtuar me kalldrëmin karakteristik të Beratit”, tha ai.

Demo tha se “rruga është po ashtu panoramike dhe parashikon ndërtimin me standarde të plota, me trotuar, ndriçim etj”. “Përveçse do të përdoret nga mjetet që do të vizitojnë kalanë, rruga do të përdoret edhe nga këmbësorët. Ka qenë një nga problemet kryesore që ne kemi hasur në sektorin turistik sepse këtu ka qenë shumë e vështirë të shkëmbeheshin dy autobuza. Me fillimin e sezonit turistik kemi pasur probleme shumë me autobuzat që vinin të organizuar për t’u shkëmbyer dhe aq më shumë për të gjetur parkim. Ndaj kemi parashikuar një parkim zonën e sipërme të Kalasë, që zgjidh problemin”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.