Më shumë se 70% e punimeve të kryera në bypass-in e Vlorës/ Balluku: Investim strategjik, akses në jug të vendit për pak minuta  

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Në kantieret e bypass-it të Vlorës punimet po ecin me ritme të shpejta, pavarësisht kushteve të paqëndrueshme të motit. Janë realizuar afro 70% e punimeve për këtë vepër, ndërsa ka marrë zgjidhje edhe problematika me shpronësimet, sa i takon zonës së Kaninës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, inspektoi pikërisht kantierin në zonën e Kaninës, ku po punohet me intensitet të lartë.

Krahas hapjes së trasesë dhe asfaltimit të një pjese të saj, po punohet njëkohësisht edhe për ndërtimin e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti, për të bërë të mundur përfundimin e të gjithë segmentit brenda afatit të parashikuar.

Duke informuar për ecurinë e punimeve, kreu i ARRSH tha: “Në 10 kilometrat e parë të aksit, tashmë 7 km kanë përfunduar me konglomerat. Mbeten pa asfaltuar 2.5 kilometra në pjesën e zonës së varrezave, e cila po vazhdon me ritme të larta. Janë spostuar të gjitha linjat e tensionit të mesëm dhe të lartë në zonë. Ndërsa për pjesën fundore nga kilometri 20 deri në kilometrin 29 çdo gjë ka përfunduar, jemi në asfalt dhe sipas parashikimeve do fillojmë me sigurinë rrugore”.

Për ministren Belinda Balluku koordinimi mes të gjitha institucioneve si dhe bashkëpunimi i banorëve, bëri të mundur zgjidhjen e problematikës së shpronësimeve, duke i hapur rrugë përparimit të punimeve.

“Pas një periudhe jo pak të vështirë përsa i përket procesit të shpronësimit, por me një bashkëpunim shumë të mirë, që kemi pasur mes të gjitha palëve dhe sigurisht dhe me mirëkuptimin e banorëve të Kaninës, kemi nisur punën dhe tashmë në këtë zonë, e konsideruar si zona më e komplikuar e këtij projekti ka filluar të punohet me ritme të mira”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë falënderoi Delegacionin e Bashkimit Europian për mbështetjen financiare të këtij projekti, me rëndësi të veçantë sa i takon zhvillimit të turizmit, pasi lehtëson aksesin drejt një prej zonave me potencial të madh turistik, siç është bregdeti i jugut.

“Kjo është një nga veprat më të rëndësishme të jugut pasi është pjesë e atij gjerdanit infrastrukturor, të cilin unë e përsëris gjithmonë, që nis nga bypass-i i Fierit, të dorëzuar para pak muajsh, duke vazhduar me aeroportin e Vlorës, për të cilin shpresojmë të përfundojë gara, duke ditur shumë mirë që ky vit i pandemisë ka ndikuar mjaft keq të gjithë industrinë e aviacionit, por që ne jemi shpresëplotë që do kemi një rezultat pozitiv dhe më pas vijmë tek kjo pjesë kaq e rëndësishme që është bypassi- i Vlorës, e duke u lidhur me tunelin e Llogarasë, i cili tashmë është në fazën finale proceduriale. Kështu aksesi në jugun e vendit do jetë në një kohë shumë të shkurtër dhe në akse me cilësi shumë të lartë dhe me siguri rrugore”, theksoi Balluku.

Bashkëpunimi mes institucioneve, për të çuar para këtë projekt u vlerësua edhe nga kryebashkiaku Leli, i cili theksoi se “të gjitha këto investime në infrastrukturës, përfundimi i bypass-it të Fierit, vazhdimin me baypass-in e Vlorës, i cila do të jetë ajo arteria kryesore për në jugun e Shqipërisë, plotësohet ansambli i investimeve në infrastrukturën rrugore”.

Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe përfundimi i kësaj vepre pritet të lehtësojë ndejshëm qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik, në drejtim të bregdetit të jugut.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.