Historikisht e premtuar/ Rruga drejt Malit të Tomorrit në ndërtim, lehtëson udhëtimin drejt Majës së Shenjtë

 

TIRANË, 23 janarATSH/ Rruga historikisht e premtuar dhe asnjëherë e realizuar në dhjetra vite drejt Malit të Tomorrit po merr formë dita-ditës, për të shkurtuar kohën e lehtësuar udhëtimin e vizitorëve të panumërt të Majës së Shenjtë, por edhe për t’i hapur një perspektivë të re turizmit të kësaj zone të bekuar.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin e ndërtimit të rrugës, nga ku theksoi rëndësinë e kësaj zone, jo vetëm për besimtarët bektashinj, por edhe për zhvillimin e turizmit.

“Duhet të ishte bërë më parë, si shumë nga ato që po bëjmë ne sot, por nuk ishim ne më parë që të mund t’i bënim gjërat me radhë, por rëndësi ka që të vazhdojmë radhën e gjërave e të shtojmë ritmin”, tha kryeministri.

Ndërkohë, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi theksoi se Mali i Tomorrit është ndër malet më të bukura të vendit. AI informoi se po rehabilitohen të gjitha sheshet pranë teqesë për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për të gjithë besimtarët. Por vuri në dukje ai, rruga do ta kthejë zonën në një atraksion turistik.

Njëkohësisht, Klosi informoi se ka nisur ndërtimi i bujtinave të para pranë zonës së Teqesë, ndërsa ka kërkesa edhe për ndërtimin e një fshatik turistik.

“Për gjithë besimtarët bektashinj kjo është një ditë e shënuar dhe dua t’i informoj ata se verën që vjen rruga do të jetë e përfunduar”, tha Klosi.

“Që nga viti ’90 të gjithë kryeministrat e kanë premtuar, por asnjëherë nuk është bërë e mundur, kjo jo për mungesë të fondeve, por ka munguar vullneti”, tha kreu i bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj.

Ndërtimi i kësaj rruge, tha ai, jo vetëm lehtëson të gjithë besimtarët bektashinjë për t’u ngjitur drejt Malit të Tomorrit, por i hap një perspektivë të re turizmit jo vetëm të bashkisë Poliçan por edhe gjithë qarkut të Beratit.

Ndërtimi i kësaj rruge shkurton ndjeshëm distancën nga Poliçani drejt Teqesë së Abaz Aliut në Malin e Tomorrit, nga dy orë që ishte, në vetëm 30 minuta.

Rruga Berat-Polican është asfaltuar dhe në verën që vjen pas përfundimit të këtij aksi, nga Tirana deri në Teqenë e Abaz Aliut rruga do të jetë e asfaltuar. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.