Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për regjisorin dhe kineastin Dhimitër Anagnosti në 85-vjetorin e lindjes

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta dekoroi sot regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në 85-vjetorin e lindjes.

Presidenti e dha dekoratën me motivacionin: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar regjisorit, familjarëve dhe kolegëve të tij, si dhe personaliteteve të artit të pranishëm, Presidenti vlerësoi se emri dhe vepra e nderuar e Anagnostit, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, dedikuar me gjithë përkushtimin popullit dhe Atdheut, është sot për të gjithë ne frymëzim.

“Vepra juaj do të jetë edhe për gjeneratat e ardhshme, metaforë emblematike e historisë së artit kinematografik shqiptar, referenca dhe modeli i një brezi krijuesish idealistë e patriotë, që i bëni nder artit dhe kulturës tonë kombëtare”, tha Meta.

Ai theksoi se “kultura jonë kombëtare në tërësi dhe arti i kinemasë shqiptare në veçanti, kanë qenë me fat, që kanë në panteonin e tyre të nderit edhe emrin e veprën e Dhimitër Anagnostit”.

“Me kontributin, përkushtimin dhe talentin e madh, Anagnosti na ka dhuruar vepra, që kanë shënjuar kulme të cilësisë artistike dhe që kanë përjetësuar mjeshtërisht njeriun shqiptar, jetën, shpirtin dhe historinë e tij. Filmat tuaj, edhe pse të krijuar në një kohë e në një kontekst historik të caktuar, jo vetëm që nuk janë peng i kohës, por falë vizionit e talentit tuaj, janë përherë në kohë, duke i paraprirë asaj. Përmes gjuhës së pasur filmike, ata përcjellin mesazhe universale nga një kohë në tjetrën, duke mbetur përherë aktualë”, tha Meta.

Ndërkohë kineasti i shquar, Dhimitër Anagnosti tha se “sot është një ditë e veçantë për mua”.

“Diku dikur kam shkruar, në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shoh brenda vetes se sa jashtë saj.  Juridikisht jam i pavdekshëm sepse AND  ime udhëton në përjetësi përmes brezave në vijim. I them këto rreshta që të bisedoj me fëmijët e mi, më fëmijët e tyre me breza më tej e më tej, për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji e kuptim.  Si të jetohet ajo më mirë në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional. Duhet të bëjmë kujdes në ndërtimin e jetës, ta ngremë kokën hera herës nga problemet e përditshme dhe të shikojmë yllin polar për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit”, ishin këto fjalët e kineastit te shquar, Dhimiter Anagnosti që u lexuan gjatë ceremonisë së dekorimit, nga aktorja e mirënjohur, bashkëshortja e tij, Roza Anagnosti.

Në këtë vend, në këtë truall ku brezat kanë derdhur energji fizike, intelektuale, morale, shpirtërore, shprehet regjisori, rrezatohet një energji misterioze e shumëllojshme, që ta bënë jetën më të lehtë, më të plotë, më me kuptim, energjia e memories historike.

“Falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit. Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falenderoj Presidentin e Republikës që më nderon me një titull të lartë”, tha ai.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.