Bypass-i i ri i Beratit largon mjetet e rënda nga qyteti/ Hap një zonë të re zhvillimi të integruar urban e rural

TIRANË, 23 janarATSH/ Bypass-i i Beratit, i cili pritet të përfundojë brenda këtij viti do të largojë të gjitha mjetet e rënda nga qyteti dhe do të hapë një zonë të re zhvillimi të integruar urban e rural.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin e punimeve në këtë bypass, nga ku siguroi përfaqësuesit e pushtetit lokal për mbështetje nga ana e qeverisë qendrore për investimet në infrastrukturë.

Rama bëri të ditur se shumë gjëra që po bëhen sot duket sikur po bëhen shumë vonë, pasi duhet të ishin bërë 30 apo 40 vite më parë. Por, tha ai, kjo qeveri mori angazhimin për t’i kryer.

Kryeministri theksoi po ashtu se më parë nuk është investuar në mënyrë strategjike, por duke u mbështetur në numrin e votave.

“Po bëjmë të pamundurën t’u mbështesim hap pas hapi. Shumë gjëra që bëhen sot duken të vonuara pasi duhet të ishin bërë 30 apo 40 vite më parë. Por nuk është faji jonë, por taksirati jonë. Nuk është menduar në mënyrë strategjike, hidh çakull këtu, shtro ca asfalt andej, kemi ca vota këtej, dil andej se janë tanët. U bë kioska-kioska i gjithë zhvillimi”, deklaroi Rama nga Berati.

Kyeministri njëkohësisht bëri të ditur se në pedonalen e qytetit të Beratit nuk ishte investuar që prej vitit 1969.

Ndërtimi i bypass-it të Beratit përveçse u shërben banorëve të kësaj bashkie, u shërben edhe qytetarëve që udhëtojnë drejt Skraparit, pasi shkurton me mbi 1 orë distancën.

“Heqim trafikun e mjeteve të rënda nga qendra e qytetit dhe zona historike duke i dhënë një vlerë të shtuar edhe turizmit në këtë zonë. U jep mundësi edhe skraparlinjve të ndjehen më të mirëseardhur në këtë zona kur kalojnë drejt Skraparit”, u shpreh Rama.

Në projekt po ashtu parashikohet edhe investimi për mbrojtjen lumore, çka do ta zgjidhë edhe problemin e përmbytjeve në këtë zonë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.