Blu Box instalohet në Durrës, kontroll satelitor i vendndodhjes së anijeve /Ekonomi: 108 anije peshkimi përfitojnë

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Në portin e peshkimit në Durrës është kryer me sukses, instalimi për herë të parë i pajisjeve të lokalizimit satelitor të anijeve të peshkimit, Blu Box që kryejnë menaxhim dhe kontrollin satelitor të vendndodhjes së anijeve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi tha se, “nga ky projekt kanë përfituar deri tani 108 anije peshkimi”.

“Transmetimit të tyre satelitor, do t’i bashkohen shumë shpejt edhe anijet e porteve të tjera.”- deklaroi Ekonomi.

Sistemi Blu Box vjen si një investim i qeverisë shqiptare.

Ndërkohë ekspertët e peshkimit në MBZHR, vijojnë të japin informacion të mjaftueshëm të gjithë atyre që kanë barka dhe peshkarexha në Shqipëri për rëndësinë që ka Blu Box dhe po fillon hap pas hapi instalimi i aparaturave.

Gjeoreferenca do të lidhet në mënyrë të menjëhershme nga e- Albania dhe shërbimi që ajo ofron, duke nisur kështu funksionimin e këtij sistemi.

Sistemi “Blu Box” kontribuon në modernizimin e hapësirës ujore me një teknologji të zhvilluar e të sigurt, që sjell performancë të lartë të cilësisë në menaxhimin e burimeve të peshkimit.

“Blu Box”, ka si qëllim rritjen e nivelit të sigurisë përsa i përket anijeve të peshkimit në rast rreziku, si dhe ruajtjen e burimeve të peshkimit.

Kjo është një risi tjetër mbështetëse në sektorin e peshkimit, krahas zerimit të TVSH-së,  për të gjitha elementet që i duhen peshkimit, ndërsa vijon deri në fund të muajit janar aplikimi në skemat e mbështetjes me grante nga BE për rinovimin e anijeve të peshkimit dhe materialeve bazë të këtij sektori.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.