“Asnjë leje e Bashkisë së Tiranës nuk është e ndikuar nga grupe interesash”/ Veliaj: E vetmja gjë e paverifikuar është si u bë Grida Duma investitore pallatesh

TIRANË, 23 janar/ATSH/ “Kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit”. Kështu deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në reagim të disa mediave.

“Po ndjek përmes shtypit, se si dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, na janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh”, theksoi Veliaj.
Ai theksoi se “dëshirat e mafias italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së”.
“Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete”, u shpreh Veliaj.
“E vërteta është se asnjë leje e Bashkisë së Tiranës nuk është e ndikuar nga grupe interesash, të lidhura me biznese të paverifikueshme. E vetmja gjë e paverifikuar për ne, mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes”, theksoi Veliaj.
“I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla. Ndërkohë, Grida Duma do të duhet ta provojë në gjykatë shpifjen e saj të rradhës, njësoj si 7 herët e tjera kur zyrtarët e PD-së janë gjykuar e shpallur si shpifës nga drejtësia”, përfundoi reagimin Veliaj.
Partia Demokratike reagoi ndaj deklaratave të kryebashkiakut Veliaj, duke theksuar se ai ndihet i frikësuar.
“Ata po përpiqen të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën. Qëllimi i vetëm i tyre është të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre, pa asnjë ndërhyrje. Ne nuk kemi frikë nga asnjë proces gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen tonë, pasi jemi këtu vetëm për një qëllim që është interesi publik i shqiptarëve. As Rama, as buratini i tij, askush nuk do të na e mbyllë gojën”, u shpreh Partia Demokratike.
/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.