Transmetim i traditës dhe vlerave shqiptare/ Zanatet tradicionale “fiksohen” në librin “Sekrete Mjeshtërie”

TIRANË, 22 janar/ATSH-Bledi Naska/ U zhvillua sot promovimi i librit “Sekrete Mjeshtërie”.

E veçanta e këtij botimi është se për herë të parë janë grumbulluar materiale për profesione, apo më saktë zanate tejet të veçanta në vendin tonë të cilat me kalimin e kohës rrezikojnë edhe të zhduken fare, pasi interesi për t’i trashëguar ato nuk është ai që duhet.

Në këtë botim janë përfshirë zanate si krijues instrumentesh muzikorë, përfaqësuar nga Erli Gurra; gurgdhendës, përfaqësuar nga Muhedin Makri; drugdhendës, përfaqësuar nga Isuf Skënderi; restaurator, përfaqësuar nga Frederik Stamati; këpucar, përfaqësuar nga Ramazan Cani, sahatçi, përfaqësuar nga Syri Tufina, si edhe disa zanate të tjera shumë të veçanta për kohën në të cilën jetojmë, të cilat industrializimi po i çon drejt zhdukjes.

Këto materiale janë mbledhur me shumë kujdes prej një kohe relativisht të gjatë nga gazetarja Alma Mile në bashkëpunim të ngushtë me fotografin Aldo Bonata. Në lidhje me këtë përmbledhje Alma Mile u shpreh se: “Një nga synimet tona është nxitja e traditës, që edhe brezat e rinj të ndjekin traditën e të parëve. Këto zanate janë të trashëguara ndër breza nga baballarët apo gjyshërit, sikurse janë Tufinat, të cilët brez pas brezi vazhdojnë të ndreqin sahate dhe ora në Tiranë. Kemi punues këpucësh, që edhe ky është zanat i trashëguar dhe thuajse të gjithë e kanë marrë zanatin në të njëjtën mënyrë. Edhe për mua kjo punë ishte një zbulim, pasi nuk i dinim që ishin. Në vendin tonë unë zbulova që kishim një person që prodhonte violina të standardit botëror. Ajo që më ka prekur më shumë është që janë vërtetë shumë njerëz modestë, pavarësisht asaj që bëjnë. Dhe kjo ndikon duke e bërë jetën tonë më të lehtë dhe më të bukur”.

Për realizimin e këtij albumi Alma Mile ka pasur mbështetjen dhe nxitjen e ministres së Kulturës, Elva Margariti, e cila është e përfshirë në këtë punë voluminoze dhe e ka nxitur autoren për të realizuar materialin.

Në këtë promovim ishte gjithashtu e pranishme edhe ministrja Margariti, e cila veç të tjerave në fjalën e hapjes falënderoi për praninë edhe disa prej mjeshtrave të përfshirë në këtë album.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “ideja e lindjes së këtij libri lindi me marrjen e detyrës time dhe bashkë me stafin vendosëm të flisnim me njerëzit e thjeshtë dhe gjërave të thjeshta që na rrethojnë, të cilat për mendimin tim, mbartin idenë e vërtetë të artit dhe kulturës, ato që lidhen me trashëgiminë dhe traditën. Kjo u kthye për ne një prioritet duke menduar për duart, si trasmetuese e të gjitha mjeshtërive të artizanëve. Ne mendojmë që ata janë vërtetë mjeshtra, pavarësisht se institucione të ndryshme nuk ua kanë dhënë atë titull. Jemi munduar të gjejmë hapësirë për këdo, megjithëse nuk është një cikël i kompletuar akoma. Ky libër mbart mesazhin që gjërat e bukura janë ato të thjeshtat, të cilat edhe gjatë pandemisë, kohë kur ne punuam për këtë libër, arritëm që të gjejmë optimizëm dhe shpresë. Këtë cikël e nisëm në rrjetet sociale duke e promovuar dhe u mirëprit, dhe pse jo të finalizohej me këtë përmbledhje që unë i jam vërtetë mirënjohëse. Ky libër ka për qëllim të transmetojë traditën dhe vlerat e bukura shqiptare”.

Meqenëse në këtë përmbledhje janë vetëm disa nga këto zanate të veçanta dhe të trashëguara ndër breza, ky mund të konsiderohet vetëm një fillim i përmbledhjes së tyre, pasi autorja Alma Mile ka për qëllim që këtë punë të nisur tashmë, ta vazhdojë duke hulumtuar dhe duke na sjellë të tjera zanate po kaq të veçanta të cilat meritojnë një vëmendje të madhe nga të gjithë ne, në mënyrë që të mos shkojnë drejt zhdukjes.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.