Titulli “Mjeshtër i Madh” për artistët Petrit Lulo dhe Ylli Baka  

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur gjirokastrit të muzikës popullore shqiptare, Petrit Lulo, me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të shquara në prezantimin e këngëve popullore shqiptare, veçanërisht atyre të krahinës së Jugut, duke spikatur si pasardhës i denjë i iso-polifonisë toske. Me mirënjohje ndaj këngëtarit popullor me zë të ëmbël e melodioz, kumbues e me timbër të pastër, i cili me këngët dhe vlerat e tij të veçanta të interpretimit , ka ngritur më lart madhështinë e kalasë së Argjiros”.

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, në prani të familjarëve dhe personaliteteve të shquara të artit dhe muzikës, Presidenti Meta theksoi se, “bilbili i këngës popullore dhe polifonike gjirokastrite dhe jo vetëm Petrit Lulo ka kaluar një jetë të tërë duke shkëlqyer në skenë.

“Pjesëmarrës në qindra koncerte, festivale, ansamble brenda dhe jashtë vendit, me zërin e tij të veçantë e karakteristik, është bërë pjesëtar i të gjitha familjeve shqiptare për dekada. Lindur dhe rritur në Gjirokastrën e gurtë dhe aq karakteristike, qytetin e sa e sa personaliteteve, Petriti hodhi aty hapat e parë në muzikë”, tha Meta.

“Në Gjirokastrën e kalasë madhështore, Petrit Lulo filloi këngën, për të ngritur më lart madhështinë e kalasë së Argjiros. Me zërin e veçantë dhe magjepsës u dallua që në debutimin e parë, duke u vlerësuar si një ndër këngëtarët më të mirë dhe më premtues. Këngët e tij, si ‘Tjetër herë me djalë’ apo ‘Syzeza’ ishin ato, që i dhanë famë dhe e bënë shumë të njohur në një kohë rekord në të gjithë vendin”, shtoi Meta.

“Ndërkohë, që u bë edhe pjesëmarrës i rregullt i festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, duke formuar portretin e tij si këngëtar profesionist. Me një popullaritet në rritje, Petriti vazhdoi të këndonte dhe të nxirrte albume me nivel të lartë artistik edhe pas viteve ’90-të. Në këto albume gjen këngët popullore tipike të Shqipërisë së Jugut, me një gjetje tjetër, më të avancuar, të përpunuara dhe të përshtatura për publikun e gjerë artdashës”, tha Meta.

“Petrit Lulo ka mbi 50 vite në skenë dhe kënga për të është ushqim shpirtëror i pandashëm. Në repertorin e tij ka me qindra këngë popullore, këngë polifonike dhe këngë të muzikës së lehtë. Vlerësimet e spektatorëve shqiptarë i ka marrë kudo në botë, ashtu si edhe ato të spektatorëve të huaj, që e kanë duartrokitur me ngrohtësi, kur ka kënduar këngët polifonike shqiptare, në skenat e huaja”, u shpreh Meta.

“Edhe pse prej vitesh jeton në Tiranë, Petriti lidhjen e tij shpirtërore me qytetin e lindjes, Gjirokastrën, e ka shumë të fortë. Me këngët e tij çon kudo, madhështinë e pavdekshme të kalasë dhe karakteristikat e veçanta dhe të papërsëritshme të qytetit historik. Sipas vetë Petritit, Gjirokastra i shtroi ‘kalldrëmin’ e skenës, ndërsa Tirana ‘asfaltin’ e suksesit. Për kontributin e shquar në prezantimin e këngës popullore dhe të lehtë shqiptare dhe për vlerat e veçanta në interpretimin dinjitoz të tyre, kam kënaqësinë të vlerësoj sot Petrit Lulo me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh dhe t’i uroj suksese”, përfundoi Presidenti Meta.

Po ashtu, presidenti Meta, vlerësoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur të muzikës popullore shqiptare, Ylli Baka, me motivacionin: “Me mirënjohje për përpjekjet e suksesshme dhe arritjet e shquara në prezantimin dhe ngritjen në një nivel të ri të këngës popullore e në veçanti të Jugut të Shqipërisë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të saj brenda dhe jashtë vendit. Për kontributin e shquar në fushën e kulturës, në interpretimin e rrallë të këngës popullore, por edhe në mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare si pjesë e fondit të artë të Folklorit Kombëtar”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit, të pranishëm në ceremoninë solemne të dekorimit, Presidenti Meta theksoi:

“Ylli Baka vjen në këngën shqiptare si një këngëtar me identitet të spikatur, duke krijuar një profil të veçantë dhe të papërsëritshëm”, u shpreh Meta.

I lindur dhe i rritur në Tepelenë, por edhe me një lidhje të veçantë me Skraparin, nga vjen nëna e tij, Ylli Baka ka luajtur rolin e një ure lidhëse, midis këngës polifonike të Jugut dhe asaj Toske të Skraparit.

Në rrugëtimin e tij këngëtari Ylli Baka ka kënduar me qindra këngë dhe ka prodhuar disa dhjetëra videoklipe, që mbajnë individualitetin dhe firmën e tij.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.