Tabaku me banorët e Zall-Herrit: Periferia e Tiranës është braktisur plotësisht nga qeveria dhe bashkia

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ishte sot në një takim me banorët e Zall-Herrit, ku sipas saj, “megjithëse pak kilometra larg Tiranës mungojnë rrugët, mungon uji i pijshëm, mungojnë investimet për bujqësinë”.

Tabaku u shpreh se është e papranueshme përdorimi i njerëzve nga bashkia dhe qeveria vetëm për fushatë elektorale.

“Këtu ku duhej të ishte një nga zonat më të mëdha në Tiranë, këtu kalojnë vetëm makinat e gurores. Këtu vetëm i shfrytëzojnë pasuritë natyrore, socialistët, pa pasur asnjë model zhvillimi. Është fatkeqësi që të jetë një zonë me kaq prodhime bujqësore, të mos ketë një subvencion për bujqësinë. Fshatarët nuk nxjerrin në treg produktet e tyre, sot janë duke mbijetuar me çfarë vjen nga emigracioni, ndërkohë që kjo duhej të ishte një nga zonat që duhej të kishte prioritet zhvillimin për qytetin e Tiranës”, tha ajo.

Tabaku tha se “është modeli i tyre i fasadës që tregojnë dy projekte me ngjyra ndërkohë që shqiptarët këtu janë duke vdekur për bukën e gojës. Unë besoj se më 25 prill është një mundësi që për banorët e kësaj zone për të treguar që të gjithë shqiptarët janë njësoj, të gjithë duan investime, të gjithë duan arsim, nuk duan vetëm fëmijët e politikanëve dhe qeveritarëve arsim”./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.