SHBA – Biden: Vdekjet mund të arrijnë në 500 000, por masat tona do ta ndryshojnë situatën

UASHINGTON, 22 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Joe Biden nënshkroi një seri urdhrash ekzekutivë dhe nisi një strategji mbarëkombëtare për të frenuar pandeminë e koronavirusit që ditën e tij të parë të plotë në detyrë, ndërsa bëri parashikime të zymta se vdekjet mund të kalonin gjysmë milioni në muajin shkurt.

Strategjia e Biden është që të dalë me një përgjigje të koordinuar federale që paraardhësi i tij Donald Trump ka rezistuar prej kohësh, duke synuar të rikthejë besimin në qeveri, të rritë programin e vaksinimit, të zgjerojë testimin dhe të rihapë në mënyrë të sigurt shkollat dhe kompanitë.

“Strategjia jonë kombëtare është globale, ajo bazohet në shkencë jo në politikë, bazohet në të vërtetën dhe jo në mohimin dhe është e detajuar”, theksoi Biden në një fjalim.

“Plani ynë fillon me një fushatë agresive vaksinimi, të sigurt dhe efektive për të arritur qëllimin tonë për të dhënë 100 milion vaksina në 100 ditët e para në detyrë”, theksoi Biden.

”Por, situata ka të ngjarë të përkeqësohet më shpejt dhe numri i të vdekurve në SHBA mund të kalojë 500 000 viktimat muajin e ardhshëm”, paralajmëroi Biden.

“Ne nuk kemi hyrë në këtë rrëmujë brenda natës…, do të duhen muaj për të ndryshuar. Ne do ta bëjmë atë… ndihma është në rrugë e sipër”, theksoi ai. /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.