Sassoli letër Ruçit: PE mbështet Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE

Presidenti i Parlamentit Europian, Sassoli, përgëzon Kryetarin e Kuvendit Ruçi: Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, e falenderon atë për prezantimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë mbi “Hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian”.

“Kam ndjekur nga afër përparimin që ka bërë Shqipëria drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Raporti i Komisionit Europian pasqyron përparimin që ka bërë vendi juaj drejt plotësimit të kritereve të përcaktuara nga Këshilli në konkluzionet e tij të datës 26 mars 2020″, thuhet në letër.

Sassoli vlerëson angazhimin e autoriteteve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Të jeni të sigurtë se Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. Vlerësoj bashkëpunimin midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndër të tjera bashkëpunimin në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të rritet në mënyrë progresive në të ardhmen”, shkruan në letrën e tij drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.