Punonjësit e Bashkisë Tiranë u ofrojnë një strehë të ngrohtë personave në situatë rruge

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Shërbimet e Policisë Bashkiake së bashku me shërbimet sociale të Bashkia Tiranë, janë çdo ditë e çdo natë në terren për të ndihmuar njerëzit në situatë rruge.

Për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave të ditëve të fundit, ata kanë intensifikuar kontrollet, për të konstatuar  dhe dërguar në qendrat sociale të Bashkisë, të gjithë shtetasit e gjendur në situatë rruge, me qëllim për të ruajtur jetën dhe shëndetin e tyre.

Kryebashkiaku Erion Veliaj falenderon punonjësit e terrenit për punën e palodhshme.

“Çdo mbrëmje të ftohte, skuadrat e Policisë Bashkiake dhe të Emergjencave të Bashkisë Tiranë shoqërojnë në ambientet e ngrohta të Qendrës Sociale Shkoze personat në situatë rruge. Ju falenderoj me zemër. Por, shumica vijnë nga qytete ku kanë familje që s’duhet t’i neglizhojnë, ju lutem!”, apelon Veliaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.