Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë mbetet e mbyllur deri në datën 8 shkurt

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Autoritetet e Policisë greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 8 shkurt.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë informoi sot se deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.

Ndërsa, bëhet e ditur se dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash).

Mjetet si autobusa, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, bën të ditur DVPK, nuk do të lejohet të kalojë.

Edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme theksoi se “ky vendim i qeverisë greke, ka ardhur në vijim të masave të marra për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19”.

“Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur. Ndërsa, dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë do të jetë e lejuar nga ora 06:00, deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash)”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së. /r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.