Meta: Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë, duke lënë pas edhe vende të sapodala nga lufta dhe konfliktet civile”.

Meta tha se “një shqiptar ndihet sot më i pashpresë se një sirian, iraken dhe afgan”.

“Lufta efikase kundër varfërisë, zhdukja e monopoleve, anulimi i koncensioneve korruptive, rritja e prekshme e pagave dhe pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, krijimi i shanseve dhe i mundësive të reja për të rinjtë e ndalojnë shpopullimin”, tha Meta.

Ndërkohë, pasditen e sotme, presidenti Meta u shpreh se “Shqipëria ka barrën fiskale më të lartë dhe të ardhurat publike më të ulta, krahasuar me vendet e rajonit”.

“Arsyeja është e thjeshtë: taksat ju vilen vetëm bizneseve, që nuk janë të lidhura me qeverinë. Bizneset nuk mbështeten njësoj, ndaj investitorët largohen”, tha ai.
“Të forcojmë ekonominë duke luftuar pabarazinë, korrupsionin dhe klientelizmin politik!
Një klimë e mirë biznesi do të thotë më shumë vende të reja pune, më shumë investime, më shumë zhvillim. Të ndihmojmë biznesin, për të ndalur shpopullimin”, apeloi Meta.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.