Kim dhe Soreca, takim me kreun e KED: Gjykata e Lartë duhet të arrijë kuorumin, të jetë plotësisht funksionale

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori, Luigi Soreca  zhvilluan sot një takim me kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ervin Pupe.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim u shpreh se, “duke punuar së bashku KED, Presidenca dhe Parlamenti dhanë një Gjykatë Kushtetuese funksionale në fund të vitit 2020. Tani Gjykata e Lartë duhet të arrijë kuorumin në mënyrë që vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese të plotësohen dhe vetë Gjykata e Lartë të jetë plotësisht funksionale. Le të vazhdojmë të ecim përpara – hap pas hapi”.

Ndërsa ambasadori Soreca konfirmoi mbështetjen e fortë të BE-së në punën e KED përfshirë edhe ndihmën teknike. Soreca tha se, është e rëndësishme që sapo Gjykata e Lartë të ketë hapur tre vendet e lira për Gjykatën Kushtetuese, KED të jetë gati të procedojë, në mënyrë që të sigurojë funksionalitetin e plotë të Gjykatës Kushtetuese sa më shpejt të jetë e mundur në muajt në vijim.

“Takova Kryetarin e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, Ervin Pupe, së bashku me ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim. E përgëzoj Këshillin e ri, i uroj suksese në punën e tyre dhe konfirmoj mbështetjen e fortë të BE-së në punën tyre, përfshirë edhe ndihmën tonë teknike. Është e rëndësishme që sapo Gjykata e Lartë të ketë hapur tre vendet e lira për Gjykatën Kushtetuese, KED të jetë gati të procedojë, në mënyrë që të sigurojë funksionalitetin e plotë të Gjykatës Kushtetuese sa më shpejt të jetë e mundur në muajt në vijim,”, tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Nga ana e tij, kreu i KED-it, Ervin Pupe njoftoi se në takim ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për asistencën e vazhdueshme të dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në mjaft sektorë të ndryshmë të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në proceset e reformës në drejtësi.

Pupe ka njohur anëtarët e delegacionit me veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke shpjeguar rolin e këtij këshilli në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore, në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për vitin 2021. “Bashkëpunimi i ngushtë dhe harmonik mes tre institucioneve kryesore të përfshira në këtë proces siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, do të sjellë funksionimin me përbërje të plotë të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Pupe. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.