FOKUS – BE kërkon shmangien e mbylljes së kufijve, ndërsa përhapen llojet e reja të virusit

BRUKSEL, 22 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e BE u përpoqën të krijonin një strategji për të mbajtur nën kontroll variantet e reja të koronavirusit me përhapje të shpejtë, me disa kombe që paralajmëruan se mund të kenë nevojë të shtrëngojnë kufijtë e tyre.

“Diskutime të rëndësishme përpara me udhëheqësit e BE mbi hapat e ardhshëm për të trajtuar pandeminë”, shkroi në Twitter presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në fillim të bisedimeve në Parlamentin Europian.

Pikat kryesore në rendin e ditës ishin përshpejtimi i vaksinimeve dhe perspektiva e shpërndarjes së certifikatave të vaksinimit.

Por, diskutimet midis 27 udhëheqësve u dominuan edhe nga çështja e kontrolleve të mëtejshme të kufirit.

”Gjermania kërkon një qasje bashkëpunuese, por nuk mund të përjashtojë kontrollet si një mundësi të fundit”, theksoi kancelarja Angela Merkel përpara video-konferencës mbi krizën sanitare.

Kancelari austriak Kurz deklaroi se qeveria e tij ”mbështet udhëzime të qarta për udhëtimet dhe kufijtë”.

“Gjithçka duhet të bëhet për të parandaluar futjen e mutacioneve të mëtejshme në Europë, të tilla si ato nga Brazili”, tha Kurz.

”Belgjika mund të pezullojë të gjitha udhëtimet jothelbësore dhe do të rekomandojë partnerët e saj të BE të bëjnë të njëjtën gjë”, deklaroi kryeministri belg Alexander De Croo.

Disa vende të BE tashmë kanë vendosur kufizime afatshkurtra kufitare ose kanë propozuar shtrirjen e atyre ekzistuese.

Europa mund të ketë filluar vaksinimin kundër Covid-19, por do të duhet ca kohë para se një masë kritike e popullsisë të vaksinohet.

Në ndërkohë, Komisioni Europian po u bën thirrje vendeve të rritin testimin dhe të hetojnë më shpesh kodin gjenetik të virusit për të zbuluar më shpejt variante të reja.

Udhëheqësit diskutuan edhe një objektiv të komisionit për të vaksinuar 70% të popullsisë së rritur të BE deri në verë dhe 80% të mbi 80-vjeçarëve deri në mars.

Një diplomat i BE tha se ky qëllim mund të mos ishte i mundshëm në secilin vend në të gjithë bllokun./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.