COVID-19/ Koraqi: Kemi stabilitet, virulenca e virusit e pandryshuar

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi, theksoi sot se “situata nga COVID-19 duket e stabilizuar, për faktin se ka luhatje të vogla në shifra”.

Në një prononcim për mediet, Koraqi tha se “kjo ka ardhur si pasojë e masave që janë marrë”.

“Shfaqja e vaksinës i ka dhënë një shpresë të gjithëve për daljen nga pandemia. Por do të thoja se deri në momentin e bërjes së vaksinës individët janë njësoj të pambrojtur karshi COVID-19”, theksoi Koraqi.

Lidhur me shtrimin në spitale, Koraqi u shpreh se “ajo që ka më shumë rëndësi është okupimi i shtretërve spitalorë. Në krahasim me nëntorin dhe dhjetorin kemi stabilitetit. Por dua të them se virulenca e virusit është e pandryshuar”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur sot se në 24 orët e fundit janë kryer 3314 testime dhe 739 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.