Certifikimi i markës e bën më të lehtë shitjen e produkteve/ Procedurat që duhet të ndiqen

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e certifikimit të markës kombëtare brenda standardeve ligjore që njihen botërisht. Certifikimi i markës e bën më të lehtë shitjen e produkteve dhe e bën produktin “Made in Albania” jo vetëm të ketë vlerë në treg, por i rrit prestigjin edhe Shqipërisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj solli shembullin e një prej sipërmarrësve të suksesshme në vend.

“Sara, është një nga sipërmarrëset më të reja dhe YouTube-rja e parë në Shqipëri. Përvoja e fituar dhe dëshira e madhe për t’i ofruar vajzave dhe grave, produkte kozmetike cilësore e shtynë të krijonte markën e saj, të mbrojtur tashmë SKosmetics. Suksesi ishte i menjëhershëm, ndaj një vit pas prezantimit në treg, Sara ka zgjeruar gamën e produkteve, organike dhe që nuk testohen te kafshët”, tha Denaj.

Viti 2020 shënoi një rritje të numrit të aplikimeve për regjistrim marke nga subjektet shqiptare. Konkretisht në këtë vit u lëshuan 1115 çertifikata për marka kombëtare, ndërkohë aplikuan për certifikatë për markë kombëtare 1164 subjekte.

Procedura e regjistrimit të markave, nuk është një detyrë e vështirë.

1. Kërkimi për marka tregtare
Mjaft tregtarë nuk e kuptojnë rëndësinë e kërkimit të markave tregtare. Të pasurit e një emër unik të markës, nuk është e mjaftueshme për të mënjanuar kërkimin për marka. Kërkimi të ndihmon të dish nëse ka marka të ngjashme, të jep një pamje të saktë të vendit që zë marka jote – e ndonjëherë të paralajmëron për mundësinë e konflikteve gjyqësore në të ardhmen. Pse të shpenzosh para në procesin e zgjatur në kohë të konflikteve kur mund ta shmangësh që në fillim?
2. Aplikimi për markë tregtare
Pasi je siguruar që marka jote e zgjedhur nuk është listuar në Regjistrin e Markave mund të aplikosh për regjistrim . Hapi i parë është të depozitosh një aplikim në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave.
3. Ekzaminimi
DPPM-ja, brenda tre muajve nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e një marke, ekzaminon nëse marka, përveç përmbushjes së kërkesave formale, është në përputhje edhe me kërkesat e ligjit mbi refuzimin për shkaqe absolute. Ky lloj ekzaminimi kryet me iniciativën e Drejtorisë dhe nëse marka nuk ka shkaqe absolute për refuzim kalon në fazën tjetër, që është publikimi. Nëse jo, regjistrimi i markës refuzohet.
4. Publikimi
Peridha e publikimit, parashikohet nga legjislacioni si mjet në favor të subjekteve që kundërshtojnë, për shkaqe relative regjistrimin e markës në fjalë. Kundërshtimi ndaj një marke të publikuar depozitohet në DPPM brenda një periudhe tremujore nga data e publikimit, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse. Çdo palë ka të drejtë të marrë pjesë në procedurën e kundërshtimit, si dhe të paraqesë argumentet e veta, me gojë ose me shkrim, brenda një periudhe kohore, të caktuar nga Bordi apelimit pranë DPPM.
5. Certifikata e regjistrimit
Pas procesit të publikimit, nëse procesi i aplikimit ka ecur në rregull, Drejtoria fton aplikantin të bëjë pagesën e tarifës së regjistrimit dhe i lëshon pronarit të markës, me vulën e saj, çertifikatën e Regjistrimit.
6.Rinovimi
Marka tregtare mund të rinovohet përjetësisht, çdo 10 vjet. Rrjedhimisht mbrojtja e markës tregtare është e përhershme.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.