“Transformimi i drejtësisë po funksionon”/ Faza tjetër, goditja e të gjithë atyre që e morën peng drejtësinë për vite të tëra

TIRANË, 21 janar /ATSH/ “Jemi ne që vijmë nga rruga e kësaj tragjedie që kemi vendosur, jo thjesht në program, as thjesht në rendin e prioriteteve programore, por në rrugën e zgjidhjes problemin e madh të çlirimit të drejtësisë dhe të krijimit edhe në vendin tonë të një drejtësie të denjë për një shtet funksional”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, të cilët sot u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

“Nëse e shohim 21 Janarin me sytë e së djeshmes pa diskutim që ka 1001 fjalë që mund të thuhen për të argumentuar se nuk është bërë asgjë. Përderisa sot dhe gjithë ditën të 4 dëshmorët e 21 Janarit, 10 vjet pasi janë ndarë nga jeta, nuk prehen të qetë, ashtu sikundër të gjithë familjarët e tyre, të gjithë të afërmit dhe miqtë e tyre sa herë që ajo plagë dhemb, nuk ka sesi të marrin frymë të lehtësuar, së paku, nga fakti që është bërë drejtësi”, – theksoi Rama.

“Por, nëse e shohim 21 Janarin me sytë e së nesërmes dhe nëse bëjmë një vlerësim objektiv mes situatës së sotme dhe asaj të djeshme të sistemit të drejtësisë, kemi të gjitha arsyet që të jemi besimplotë dhe të inkurajuar që transformimi po funksionon. Natyrisht, rruga e përmbushjes së këtij transformimi është ende për t’u ndërtuar. Në një farë mënyre jemi në mes të rrugës, mes të djeshmes dhe të nesërmes. Siç jemi në rrugën mes të djeshmes dhe të nesërmes në çdo drejtim, për hir të së vërtetës . Siç janë sot kantieret e rindërtimit pas tërmetit, që janë ende të pabanueshme, por padiskutim janë aty dhe tregojnë që më e keqja është lënë pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara”, – u shpreh Rama.

“Janë aty ku deri dje kishte toka kënetore dhe rrënoja të së shkuarës, njësoj siç ishte Shqipëria në të gjithë sektorët e vet 7 vite më parë, ndërsa sot ka terrene të konsoliduara, infrastrukturë të ndërtuar, themele të hedhura dhe kate që ngrihen njëra pas tjetrës”, – tha Rama.

“Ku janë sot ata të cilët duke përdorur çekiçin e  gjykatësit të Republikës së Shqipërisë e sakatuan përmes seancave gjyqësore absurde të drejtën e të gjithë familjarëve dhe të gjithë shoqërisë për të parë drejtësi për 21 Janarin. Një pjesë e tyre nuk janë më në sistemin e drejtësisë. Janë larguar nga sistemi si pjesë e llumit që vazhdon të pastrohet në atë sistem. Një pjesë tjetër janë larguar duke dhënë dorëheqjen të vetëdijshëm që si pjesë llumit nuk mund ta kalonin filtrin e pastrimit të sistemit. Dhe një pjesë tjetër janë akoma në punë pasi ende nuk iu ka ardhur radha për të kaluar në filtrin e Vetingut, duke qenë se janë në nivelin e shkallës së parë. Kjo është pasqyra krejt e ngjashme me kantierin e rindërtimit, me çdo sektor tjetër, edhe në sistemin e drejtësisë”, – theksoi Rama.

“Shumë kush mendon se me vetingun dhe pastrimin e këtij llumi mbaron llogaridhënia e këtyre njerëzve. Jo. Mbase shumëkush ka menduar se vetingu është në të njëjtën kohë edhe një shkallë ndëshkimore për sistemin. Jo vetingu është filtri që pastron të gjithë prurjen në sistem. Vetingu është pjesë e të gjithë një infrastrukture të ngritur për ta vendosur drejtësinë e re në themele të reja dhe për të garantuar që i gjithë organizmi i drejtësisë së re është i pastruar nga metastazat e një kanceri që e degradoi në mënyrë të vazhdueshme të sistemit duke degraduar në fakt në mënyrë të vazhdueshme organizmin e shtetit dhe të shoqërisë tonë”, – u shpreh Rama.

“Do të jetë pikërisht faza tjetër, ajo e sistemit të pastruar nga kanceri, që do të realizojë atë që njerëzit presin me një padurim absolutisht të mirëkuptueshëm. Goditjen e të gjithë atyre që e morën peng drejtësinë për vite e vite të tëra dhe e bën vendin tonë një vend, ku e drejta u kthye në një mall që shitej e blihej. Edhe sot që flasim, e drejta nuk është ndarë përfundimisht nga malli. Trajtohet si mall në shumë çështje, në shumë gjykata, nga gjykatës dhe prokurorë, të cilët janë pjesë e atij llumi që vazhdon të pastrohet. Por nëse shohim shifrat e atyre që janë larguar, ato kanë tejkaluar edhe parashikimet më pesimiste. Në sensin e të qenit shumë. Shumë”, – tha Rama.

“Të gjitha parashikimet e bëra kur konceptohej reforma në drejtësi, kur bëheshin analizat, e sistemit kur parashikohej thellësia e penetrimit të kancerit në sistem flisnin për shifra të mundshme që janë të tejkaluara sot që flasim pa mbaruar procesi. Dhe kjo është një sfidë e madhe në vetvete, në sensin e zëvendësimit të këtij gjaku të prishur me gjakun e ri. Por kjo është një temë tjetër”, – theksoi Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.