Ruçi uron Zv.presidenten dhe Kryetaren e Senatit, Harris: Lidershipi i SHBA, garanci për një botë më të sigurt e paqësore

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Zëvëndëspresidentes dhe Kryetares së Senatit të SHBA, Kamala Harris.

Në mesazhin e tij, kryeparlamentari Ruçi shpreh bindjen se “nën drejtimin tuaj vizionar e dinamik, si një juriste e shquar dhe udhëheqëse moderne, Senati i SHBA do të vazhdojë të kryejë me sukses rolin e tij si tempulli më prestigjioz i debatit politik në botën e sotme dhe garantuesit të demokracisë amerikane”.

“Mbështetja juaj si Kryetare e Senatit për miratimin e politikave parësore të Presidentit Biden për kapërcimin me sukses të pandemisë Covid-19, ringritjen ekonomike, harmoninë sociale e njerëzore, ndryshimet e klimës dhe fuqizimin e koalicionit të vendevçe demokratike, për përballimin e zgjidhjen e problemeve të planetit, janë garancitë për një lidership më të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe kontributin e tyre për një botë më mirë, më të zhvilluar, me më shumë mirëqenie, siguri e paqe”, thekson Ruçi.

Kreu i Kuvendit nënvizon se “SHBA janë aleati kryesor strategjik i Shqipërisë dhe unë jam shpresëplotë që bashkëpunimi midis Senatit të SHBA dhe Kuvendit të Shqipërisë do të fuqizohet e zgjerohet gjatë mandatit Tuaj”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.