Rriten importet e makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit nga Italia, Turqia e Kina

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 2.7 % gjatë muajit dhjetor, duke arritur në 14.8 miliardë lekë nga 13.2 miliardë lekë që ishin në dhjetor të 2019-s.

Ndërkohë përgjatë gjithë vitti 2020 importet e këtij grupi llogariten 133.8 miliardë lekë.
Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, gjatë vitit 2020, Italia, Kina dhe Turqia ishin partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie. Gjithsej nga Italia u importuan 32.9 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Nga Kina u importuan 24.3 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 8.5 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Fluksi hyrës i IHD-ve në Shqipëri ka ruajtur një trend rritës pozitiv gjatë viteve. Pavarësisht situatës së krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19, sërish Shqipëria paraqet interes për investitorët e huaj.

Investimet e huaja direkte gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti llogariten 691 milionë euro.

Fokusi për zhvillimin e ekonomisë shqiptare do të mbetet tërheqja e investimeve te huaja direkte me prioritet në sektorët ku ekonomia shqiptare ka potencial të pashfrytëzuar si në aspektin e burimeve natyrore, ashtu dhe në zhvillimin e sektorëve që ende nuk janë, duke performuar me potencialin e tyre të plotë. Të tillë sektorë janë sektori i energjisë së rinovueshme, sektori i turizmit, sektori i agrobiznesit, sektori i infrastrukturës dhe ai i shërbimeve. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.