Rindërtimi në Krujë/ Nis puna për 75 shtëpi dhe 7 pallate katërkatësh në Bubq pas përfundimit të gjithë infrastrukturës

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Në Bubq, Krujë, pas përfundimit të gjithë infrastrukturës nisi puna për ndërtimin e 75 shtëpive dhe 7 pallateve katërkatësh, ndërkohë që themelet e shkollës së re sapo kanë përfunduar e po hidhet pllaka e katit të parë.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, inspektoi punimet që po kryhen në Bubq.

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj theksoi se “kemi avancuar gati në përfundim me infrastrukturën nëntokësore dhe në fillesat mbitokësore. Sot kanë filluar pallatet, do të jenë 7 pallate për 45 familje. Ndërkohë kemi shkollën “Selman Daci”. Kur erdhëm herën e kaluar sa filluan punimet e sot hidhet pllaka e betonit. Po këtu do të kemi ndërtimin e 75 njësive individuale, për të cilat kemi përfunduar etiketimin e pozicionimit të tyre në terren”.

“Kjo do jetë një nga sitet shembull e kombinimit të pallateve, njësive individuale komplekse, shkollës dhe njësive administrative që do ofrojë njësia përmes bashkisë së Krujës”, – tha Ahmetaj.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi tha se “shkolla e mesme e bashkuar do të ketë 19 ambiente, 12 klasa, 2 kopshte dhe 5 laboratorë. Do të ketë 300-320 nxënës”.

Ministri Ahmetaj bëri të ditur gjithashtu se sot ka përfunduar shkolla e parë nga ana e donatorëve. “PNUD ka përfunduar shkollën e parë “Hysen Çela” në Durrës”, shtoi Ahmetaj.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.