Reshjet e pritshme gjatë fundjavës/ Prefektja Angoni: Kemi marrë masat paraprake, jemi në gatishmëri

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, u shpreh se strukturat përkatëse kanë marrë masat për të përballuar situatën e paralajmëruar nga Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile, që rajoni i Shkodrës do të përfshihet nga  reshje intensive shiu gjatë ditëve në vijim.

Në një intervistë televizive, Angoni thase “pritet të kemi reshje sipas Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile (AKEC), që bazuar edhe tek IGJEUM, do të kemi reshje të një intensiteti të lartë, kjo na vuri para përgjegjësisë për të rritur gatishmërinë në përballimin e situatës”.

“Sipas të dhënave, përqendrimi i reshjeve parashikohet në Shkodër dhe në Vaun e Dejës. Ka një mirëmenaxhim të kaskadës së Drinit, dhe kjo është dhe falë shkarkimeve që janë bërë gjatë gjithë kësaj jave”, tha ajo.

Duke u ndalur në situatën e përmbytjeve në këtë zonë, që ndodhi në javën e parë të janarit, prefektja tha se “ne nuk kemi pasur shtëpi të përmbytura. Nuk kemi pasur persona të evakuuar, nuk kemi pasur gjë të gjallë të evakuuar”.

“Në Shkodër nuk kemi pasur, por kemi pasur vetëm një familje në Vaun e Dejës dhe ajo është strehuar tek fisi i vet. Kemi pasur sipërfaqe nën ujë. Kemi si qark i Shkodrës 910 ha tokë nën ujë. Kemi një rënie të ujërave si në Bunë, Drin, ashtu edhe në liqenin e Shkodrës”, deklaroi ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.