Regjistrimi i markës/ Balza: Si domosdoshmëri për lehtësimin e shitjeve të produkteve brenda e jashtë vendit

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e certifikimit të markës kombëtare patentës brenda standardeve ligjore që njihen botërisht. Certifikimi i markës e bën më të lehtë shitjen e produkteve dhe e bën produktin “Made in Albania” jo vetëm të ketë vlerë në treg, por i rrit prestigjin edhe Shqipërisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj solli shembullin e një prej sipërmarrësve të suksesshme në vend, Elsa Balzës.

“Nënat e reja padiskutim e kanë provuar tek bebet e tyre kremin e vogël dhe cilësor. Por, ndoshta pak kush e di se pas këtij produkti “Made in Albania” qëndron një grua që e ka prodhuar. Ajo është Elsa dhe kompania e saj, një ndër markat e para të mbrojtura ka më shumë se 2 dekada në tregun shqiptar”, tha Denaj.

Balza e ka regjistruar pranë Drejtorisë së Pronësisë Industriale produktin e saj si markë kombëtare.

“Nevoja për regjistrimin e markës kombëtare ka ardhur si domosdoshmëri, duke patur parasysh eksperiencën shumëvjeçare në tregun shqiptar”, tha ajo.

Viti 2020 shënoi një rritje të numrit të aplikimeve për regjistrim marke nga subjektet shqiptare. Konkretisht në këtë vit u lëshuan 1115 çertifikata për marka kombëtare, ndërkohë aplikuan për certifikatë për markë kombëtare 1164 subjekte.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.