Ndarje përfundimtare e drejtësisë nga të qenit mall që shitet e që blihet

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se drejtësia do ta bëjë të sajën për 4 viktimat e 21 Janarit dhe “ata të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me palë të treta të veshur nën togën e zezë të gjykatësve, do përgjigjen”.

“Do përgjigjen siç do përgjigjen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që sot janë angazhuar fort për ta bërë 25 prillin një referendum kundër kësaj qeverie bashkë me udhëheqësin e referendumit”, – tha Rama në ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, të cilët sot u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

“Pavarësisht se në këtë moment nuk ka shumë për të thënë për rezultatin përfundimtar, unë ndihem realisht krenarë se ka shumë për të thënë për përpjekjen për të arritur tek rezultati final që është krijimi i një sistemi drejtësie që bën drejtësi dhe ndarja përfundimtare e drejtësisë nga të qenit mall që shitet e që blihet”, – tha Rama.

“Dhe nëse e sotmja me emocionet dhe me të gjithë ngarkesën e halleve të përditshme, nuk i jep kësaj force politike dhe kësaj shumice, të gjitha kreditë e merituar për hapjen e kutisë së pandorës, faktikisht, hapjen e pusetave të mbyllura hermetikisht të gjithë nëntokës së llumit. E nesërmja nuk ka asnjë diskutim që do ta vulosë si rol historik, gjithçka që ne kemi bërë dhe po bëjmë qysh se kemi hapur kapitullin e pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe të transformimit të tij”, – u shpreh Rama.

“Unë gjithsesi ndihem mirë dhe për një fakt tjetër. Ne nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë më shumë, por kemi bërë gjithçka kemi mundur për të mos i lënë vetëm të gjithë të afërmit, familjarët dhe mbi të gjitha fëmijët e të rënëve të 21 Janarit. Ç’ka na jep atë lehtësimin e nevojshëm për të qenë përpara kujtimit të tyre, jo me kokën ulur për këtë pjesë. Nuk jemi ende me kokën lart, për sa kohë i gjithë ky proces që përshkrova nuk ka përfunduar, dhe për sa kohë ka ende llum për të pastruar, dhe për sa kohë ata që janë pastruar nga sistemi akoma nuk kanë dhënë llogari. Por patjetër që mund t’i shohim në sy për gjithçka na është dashur të bëjmë, për gjithçka që bëjmë, për gjithçka që do të bëjmë për të gjithë familjet e tyre”, – nënvizoi Rama.

“Sot ne u dorëzojmë familjeve simbolin e “Dëshmorit të Atdheut” për të dashurit e tyre dhe jam i bindur që prania e atij simboli në të 4 shtëpitë do të jetë një pikë e dukshme referimi për vështrimin e fëmijëve kur të mendojnë për prindërit e tyre. Jo thjesht në sensin e vlerësimit, por në sensin e besimit që drejtësia do ta bëjë të sajën dhe ata të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me palë të treta, të veshur nën togën e zezë të gjykatësve, do përgjigjen. Do përgjigjen siç do përgjigjen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që sot janë angazhuar fort për ta bërë 25 prillin një referendum kundër kësaj qeverie bashkë me udhëheqësin e referendumit. Por këtu nuk është koha për të folur për këtë, është koha për të kaluar tek dhënia e këtyre simboleve të 4 familjeve dhe për të shprehur, jo vetëm urimin që i përjetshëm të jetë kujtimi i tyre, por edhe bindja se kujtimi i tyre do të jetë i përjetshëm”, – tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.