Kryemadhi: Të gjithë aspirojmë një Shqipëri dinjitoze, do paraqesim angazhimet e LSI-së

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me strukturat e LSI-së Tiranë, ku deklaroi se të hënën do të jetë prezantimi i programit jo vetëm elektoral, por të gjitha angazhimeve që LSI do të mbajë.

Kryemadhi tha se “në fokus ndër të tjera janë arsimi cilësor, rinia dhe shëndeti i qytetarëve”.

“Na ndajnë 94 ditë nga sot deri për zgjedhje. Tashmë të gjithë ne duhet të jemi në gatishmërinë numër 1”, tha ajo.

Sipas saj, çdo ditë e humbur është në favor të varfërisë, papunësisë, shpopullimit. Qëllimi thotë Kryemadhi është për t’i dhënë fund kësaj lloj qeverisjeje.

“Nuk ka më kohë për të humbur. Çdo ditë e humbur është në favor të varfërisë, papunësisë, shpopullimit. Dhe çdo sekondë e fituar është në favor të një të riu, një të reje, për të pasur një vend pune më të mirë, për të pasur një familje më të fortë, për të pasur një Shqipëri më me integritet dhe një Shqipëri dinjitoze për të cilën ne të gjithë e aspirojmë dhe e kemi të domosdoshme”, tha ajo./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.