ILD-AADF, memorandum mirëkuptimi për programin e zhvillimit të lidershipit

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për Programin për zhvillimin e lidershipit LEAD Albania nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi.

Ky program synon t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë.

Memorandumi i nënshkruar mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani dhe Bashkë-Drejtorëve Ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, parashikon angazhimin e palëve për një marrëdhënie bashkërenduese e bashkëpunuese për zbatimin e programit LEAD Albania, që nga përzgjedhja, trajnimi e deri tek përvoja një vjeçare, në pozicionin e këshilltarit, të pjesëmarrësve të sugjeruar nga programi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani e konsideroi investimin në programin e zhvillimit të Lidershipit, si thelbësor për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të vendit, përmes profesionistëve me njohuri të thella mbi mirëqeverisjen e administratën, njohuri të përfituara edhe nga përvoja direkte në nivelet drejtuese të institucioneve qeverisëse të vendit.

Bashkëdrejtori ekzekutiv i AADF-së, Martin Mata nënvizoi se programi LEAD Albania zbatohet suksesshëm prej vitit 2013 duke vendosur çdo vit pjesëmarrës të Programit në kabinetet e institucioneve më të larta të Shqipërisë, të Presidentit, Kryeministrit, Ministrave dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe prej këtij viti nis bashkëpunimi me institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë bëhet i pari nga institucionet e reja të drejtësisë, që angazhohet të bashkëpunojë për zhvillimin e mëtejshëm të programit LEAD Albania, në funksion të reformës në drejtësi dhe rritjes së kapaciteteve të organeve të reja qeverisëse të sistemit të drejtësisë./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.