Humb betejën me COVID-19, piktori dhe studiuesi i njohur Mustafa Arapi

TIRANË, 21 janar/ATSH-Bledi Naska/ Sot është ndarë nga jeta për shkak të Covid-19 piktori dhe studiuesi i njohur Mustafa Arapi.

Mustafa Arapi lindi në Tiranë më 23 korrik të vitit 1950 dhe u diplomua në vitin 1979 për pikturë në Fakultetin e Artit Pamor në Akademinë e Arteve të Bukura Tiranë.

Mustafa Arapi njihet për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në restaurimin e veprave të artit Bizantin dhe të qindra metra katrorë afreske, si në kishën e Shën Marisë në Leusë të Permetit por edhe në Kishën e Shën Marisë në Vllahogoranxi, të piktor Onufër Qioriotit dhe Alivizit, të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta edhe në shumë të tjera nëpër Shqipëri.

Ai ka restauruar shumë ikona dhe tavane dekorative të kishave, si të kishës së Gjithëhenjtorëve në Himarë, të Shën Thanasit në Karavasta, të Shën Kollit në Grabovë, Kishën e Manastirit të Zvërnecit, ikonostasin e Leusës, etj.

Shumë studime që ai ka kryer për piktorët shqiptarë do të mbeten në trashëgiminë tonë të shkruar për kulturën dhe artin pamor shqiptar. Mustafa Arapi ka lënë gjurmën e tij edhe si dijedhënës i brezit të ti, duke punuar si profesor i pikturës në Akademinë e Arteve, nga viti 1985 deri më 1991.

Aktiviteti i tij profesional ka qenë mjaft i gjerë. Artikujt e tij me karakter të mirëfilltë shkencor janë të panumërt. Do të veçonim kontributin e tij të çmuar dhënë si autor i shumë artikujve në revistën “Monumentet”, nga viti 1988 e deri më sot. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.