Financimi i riskut/ Bashkëpunim me Bankën Botërore në tre drejtime

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Banka Botërore informon se në raste fatkeqësish natyrore, kur numri i sigurimeve është i ulët, qeveritë mbajnë pjesën më të madhe të kostove.

Atyre u duhet të përballojnë përgjigjen emergjente, rehabilitimin e aseteve publike, rivendosjen e shërbimeve publike, mbështetjen e familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla të pasiguruara dhe transfertat fiskale të pushteti vendor.

Sipas BB, “shteti shqiptar ve në dispozicion fondet rezervë, në rast nevoje mund të rishpërndajë buxhetin, apo marrë hua. Hendeku mes mundësive të financimit dhe nevojave nga dëmet e tërmeteve apo përmbytjeve mund të kalojë mesatarisht 130 milionë dollarë në vit”.

Në këtë kontekst qeveria shqiptare së bashku me Bankën Botërore po punojnë në tre drejtime për ta ndihmuar vendin të përballojë ndikimin e fatkeqësive dhe krizave natyrore konkretisht në:

Hapi 1. Zhvillimin e Strategjisë kombëtare për Financimin e Riskut të Fatkeqësive.

Kjo strategji do të identifikojë përparësitë e vendit dhe do të përcaktojë mënyrat për kombinimin e instrumenteve të ndryshme të financimit të riskut për adresimin e këtyre përparësive me kosto sa më efektive.

Hapi 2. Nxjerrja e mësimeve nga menaxhimi financiar i pandemisë COVID-19.

Së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Banka Botërore është duke përgatitur analizën e shpenzimeve të gjeneruara për shkak të COVID-19. Duke u bazuar në gjetjet e vlerësimit diagnostikues për financimin e riskut të fatkeqësive, analiza do të forcojë të dhënat mbi kostot dhe përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i instrumenteve që aktivizohen pas fatkeqësive siç janë rishpërndarjet e buxhetit dhe do të mbështesë qeverinë për zhvillimin e politikave për minimizimin e këtyre kostove.

Hapi 3. Realizimi i përpjekjeve për të eleminuar mangësitë në lidhje me mbrojtjen në rast fatkeqësish.

Përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Shqipëria ka punuar për përgatitjen e një projektligji për sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve për ndërtesat e banimit. Ligji po diskutohet në strukturat e brendshme të qeverisë, e cila do të përcaktojë edhe hapat e mëtejshëm në këtë aspekt. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.