Dosja e gjykimit për 21 Janarin, si faqet e një libri satirik

TIRANË, 21 janar /ATSH/ “Nëse do të lexojmë dosjen e gjykimit për 2 persona të akuzuar për 21 Janarin po të mos e dish që kjo është një ngjarje që ka ndodhur kjo është një dosje e një procesi për një ngjarje të ndodhur, me siguri mund të mendosh që në fakt këto janë faqet e një libri satirik”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, të cilët sot u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

“Dy persona të evidentuar si personat që kanë qëlluar, si persona që kanë vrarë, konsiderohen nga gjykata si dy individë që nuk kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, nuk e njihnin asnjërin prej viktimave dhe nuk kanë pasur bashkëpunim me persona të tretë”, – tha Rama.

“Dhe faktikisht, e thotë Gjykata e Apelit, nuk e them unë, dhe nuk e thotë me fjalë, me shkrim, që këta persona nuk kanë dashur të vrasin, por nga vetëbesimi i tepruar kanë krijuar viktima. Njësoj si terroristët që nuk njohin viktimat kur vënë një bombë në një stacion. Njësoj si terroristët që nuk bashkëpunojnë me palë të treta, por kanë një vetëbesim të tepruar për të vendosur një rend të ri botëror edhe vrasin njerëz, edhe janë të pafajshëm”, – u shpreh Rama.

“Ky është absurdi i jetës reale të organizmit të sistemit të drejtësisë, me të cilën jemi përballur dhe vazhdojmë të të përballemi nga pozicioni që na takon i pushtetit legjislativ dhe i pushtetit ekzekutiv që përpiqen të çojnë përpara deri në fund, për atë që pjesë që ju takon, reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë”, – tha Rama.

“Duken të gjitha si fjalë që i përkasin një leksioni akademik, por që nuk janë të tilla. Përkundrazi janë fjalë që përpiqen të thonë se e gjitha kjo që materializohet këtë 10-vjetor si drejtësi e munguar ende, së pari ka arsye qe lidhen me zgjedhjen që kemi bërë duke vendosur që të kalojmë nga një regjim totalitar në një regjim demokratik. Dhe është gjithmonë një raport i vështirë, në sistemin demokratik, raporti mes të mirës dhe të keqes, sepse e mira nuk mund të marrë mjetet e së keqes për të luftuar të keqen. Dhe në njëfarë mënyre e keqja është gjithmonë një hap përpara, deri në momentin kur goditet nga sistemi, jo nga njeriu, nga drejtësia, jo nga politika, nga gjykatësit, jo nga politikanët”, – theksoi Rama.

“Nuk jemi në vitin 1945 dhe nuk mund t’i kërkohet as qeverisë, as shumicës parlamentare, as partisë apo partive në pushtet që të fusin njerëz në burg edhe kur ata njerëz janë parë me armë në dorë duke vrarë njerëz, sepse këtu ndahet pikërisht kufiri mes demokracisë dhe çdo forme tjetër të organizmit shoqëror dhe politik”, – tha Rama.

“Më vjen shumë mirë që ne sot po hedhim një hap të rëndësishëm, jo formalisht, duke i vendosur të 4 të rënët e 21 Janarit, aty ku ata e kanë vendin, në altarin e Atdheut, si dëshmitarë të një kohe dhe të një historie, ku humbën jetën, jo rastësisht, por sepse besuan tek të drejtat dhe liritë e tyre dhe protestuan për të drejtat dhe liritë e tyre”, – nënvizoi Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.