TIRANË, 21 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi organizoi një takim me fitues të Olimpiadës Kombëtare të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për vitin shkollor 2019-2020.
Kushi u ka shpërndarë certifikata dhe i falënderoi për përkushtimin e treguar gjatë një viti jo të lehtë.
Ministrja u shpreh se “Gjuha Shqipe, përveçse pjesë e pandarë e identitetit kombëtar, është një nga shtyllat e patundshme të arsimit tonë, dhe si e tillë ne i japim rëndësi të jashtëzakonshme”.
Ajo shtoi gjithashtu se secilin prej këtyre nxënësve fitues e konsideron si një burim të pastër frymëzimi që reflektojnë energji pozitive dhe janë burim motivimi për punën e përditshme të punonjësve të ministrisë dhe të gjitha institucioneve të tjera të arsimit.
Ministrja ka falënderuar të gjithë këta nxënës të përkushtuar që ishin prezent në këtë aktivitet, si dhe u ka uruar sukses edhe fituesve të tjerë që për shkak të kushteve të pandemisë nuk u bë e mundur që të ishin të pranishëm në këtë aktivitet simbolik.
/r.e/