4 protestuesit e vrarë në 21 Janar 2011, shpallen “Dëshmorë të Atdheut”/ Rama: Parlamenti s’bën gjyqe, drejtësia duhet të veprojë

Foto Arkiv


TIRANË, 21 janar/ATSH/ “Sot bëhen plot 10 vjet nga tragjedia e 21 Janarit dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të japë titullin e lartë të “Dëshmorit të Atdheut” për katër dëshmorët e protestës paqësore të 21 Janarit 2011.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

“Sot është dita për të bërë një reflektim pas këtij rrugëtimi 10-vjeçar në përpjekjen për të kuptuar bashkërisht se si ajo ngjarje tragjike dhe katër jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re, në dy drejtime themelore. Nga njëra anë, në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër, në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “21 Janari, përtej plagëve të pangushëllueshme që hapin shpirtin e familjeve të 4 dëshmorëve dhe përtej plagës së madhe që hapin në shoqërinë tonë, shërbeu për të nxjerrë në pah në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe drejtësisë. Të politikës si mjet në funksion të pushtetit të kthyer në qëllim në vetvete dhe të drejtësisë, si një mur i madh i pakapërcyeshëm për njerëzit e këtij vendi dhe për shoqërinë tonë në përpjekjen e transformimeve demokratike dhe kalimit nga një regjim totalitar në një shtet funksional mbi bazën e lirive dhe të drejtave të njeriut”.

Nëse shohim në aspektin e parë, vijoi Kryeministri, ne sot kemi të gjithë arsyet për t’u përulur me mirënjohje të madhe përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve, humbja e jetës së të cilëve vuri një vijë të kuqe dhe qartësisht të lexueshme për të gjithë duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar.

“Jam sinqerisht krenar që ne, si pjesë e asaj përpjekje në një kohë tjetër dhe tejet të vështirë e të ngatërruar, me marrjen e përgjegjësisë së madhe të qeverisjes së vendit kemi qenë mishërimi i një vullneti të palëkundur për të garantuar për të gjithë dhe gjithmonë lirinë dhe të drejtën për të protestuar”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “në situata shumë herë më dramatike nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës në tejkalim të gjithë asaj kornize që përcakton Kushtetuta dhe ligji për të drejtën për të protestuar kemi garantuar një reagim proporcional duke siguruar në çdo rast që në radhë të parë, jeta e protestuesit të mos vihet asesi në pikëpyetje dhe dinjiteti i protestës që është dinjiteti i shoqërisë të mos shkelet në emër të mbrojtjes së gardhit apo në emër të mbrojtjes së hapësirës tej gardhit pavarësisht ekseseve të përsëritura me të cilat e gjithë shoqëria është përballur drejtpërdrejt duke ndjekur ecurinë e protestave”.

Më tej, Kryeministri Rama vuri në dukje se “janë të gjithë dëshmitarët të një vërtete tjetër që tashmë është khyer në normë që protesta është shprehje e të drejtës dhe nevojës për të dëgjuar. Si asnjëherë më parë në këto vite qeveria e Republikës së Shqipërisë ka pasur jo vetëm vullnetin për të dëgjuar, por edhe karakterin për të reaguar deri edhe duke kërkuar ndjesë kur protesta ka shpalosur përmes të drejtës së vet, arsye të cilat kanë treguar që ka qenë qeveria në pozitën e palës që duhet të tërhiqet dhe kanë qenë protestuesit në pozitën e palës që jo vetëm duhet të dëgjohet, por edhe të vlerësohet duke i dhënë të drejtë për argumentin”.

Sipas tij, nëse protesta është një e drejtë e padiskutueshme e drejta nuk është gjithmonë me ata që protestojnë, por në të gjitha rastet vlerësimi maksimal dhe garantimi i kësaj të drejte të padiskutueshme është detyrë e patjetërsueshme e atyre që qeverisin.

“Nuk ka asnjë krahasim nëse 21 Janarin e marrim si pikën kulmore të degradimit të pushtetit në një shëmbëlltyrë të shembullit të forcës dhe jo të forcës së shembullit. Jam i vetëdijshëm që sa herë flitet për 21 Janarin dhe vjen 21 janari shumë mendje të trazuara nga kujtimi asaj tragjedie, që për hir të vërtetës ishte rezultat i një barbarie të papërputhshme me kontinentin ku ne jetojmë dhe pa të ngjashme me situata në vendet e kësaj familje europiane që ne i përkasim, menjëherë ngrenë shqetësimin, pikëpyetjen dhe akuzë nën drejtimin tonë duke thënë një të vërtetë që drejtësia për 21 Janarin është e papërfunduar larg së qeni e përfunduar, por duke ngatërruar nga ana tjetër kohën, nuk jemi sot, nuk jemi që prej vitit 1990 në një kohë kur politika, partitë që qeverisin, qeveria vetë apo Kryeministri mund të bëjnë atë që i takon ta bëjë drejtësia”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jep vendime gjyqësore. Qeveria nuk bën rolin e Prokurorisë dhe as Ministri i Drejtësisë as Kryeministri nuk mund të ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë. Është drejtësia që i bën të gjitha këto pushteti gjyqësor, një prej 3 pushteteve kushtetuese në një sistem demokratik dhe krejt i pavarur, qoftë nga pushteti legjislativ dhe qoftë nga pushteti ekzekutiv”.

“Shumëkush e justifikon këtë një përpjekje që ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet për të vënë në vend secilin nga pjesëmarrësit në atë tragjedi, për të vënë në vend të drejtën e padiskutueshëm të të gjithë të afërmve, fëmijëve , prindërve, motrave, vëllezërve dhe përtej tyre të 4 dëshmorëve të 21 Janarit. Për të vënë në vend atë që në fund të fundit e materializon një proces drejtësie, të drejtën e reflektuar tek ndëshkimet”, – tha Rama duke shtuar se në fakt ky nuk është një justifikim, kjo është e vërteta.

/k.s/ /a.g/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.