“21 janari, hetimi i shekullit”/ Hyseni: Krim shtetëror në nivelet më të larta, kompetencë e SPAK

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialisite, Alket Hysenaj u shpreh në lidhje me ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, ku u vranë 4 qytetarë,  se “në bankën e të akuzuarve do të jenë vrasësit”.

Gjatë një interviste televizive, Hysenaj tha se, “ne nuk jemi shtet që funksionojmë, që ekzekutivi bën hetuesin”, duke iu referuar përse nuk është vendosur Drejtësia. “Hetimi ka qenë i drejtuar nga Prokuroria e Republikës së Shqipërisë, ajo Prokurori e çalë dhe ne kemi qenë të detyruar të besojmë tek ajo”, u shpreh Hyseni.

Hyseni vuri në dukje se “Policia e Shtetit ka bërë të gjitha veprimet për të rikapituluar elementët hetimorë, por nuk mund të veprojë me iniciativën politike të shtetit për çeshtje që janë në hetime të hapura, se nuk e lejon Kodi i Procedurës Penale”.

“Hetimi drejtohet nga prokurori, orientohen detyra për policinë dhe policia vepron. Kjo nuk ndalon që nëse dalin elemente gjatë kërkimit, elementë penale, të mos i referohen prokurorët dhe kjo gjë po ndodh. Një nga arsyet pse u ngrit SPAK-u është edhe 21 janari dhe SPAK do të japë përgjigjen. Dosja është dosje që i takon SPAK-ut, nuk i takon prokurorisë së Tiranës”, tha Hyseni.

“Duhet ta përcjellim dosjen si krim shtetëror në nivelet më të larta, është kompetencë e SPAK. Do të rihetohet dhe riekspertohen armët, që qëllimisht nga zinxhiri më i lartë u fshehën, do të rimerret në pyetje i gjithë zinxhiri i përfshirë që nga ish-kryeministri i vendit”, vijoi Hyseni.

“Do të ripyeten edhe të gjithë dëshmitarët. Ky do të jetë hetimi i shekullit se nuk ka të bëjë vetëm me katër qytetarë por edhe me principin themelor të së drejtës për protestë. Ndaj jam i mendimit që të behet rihetimi me çdo kosto dhe çdo periudhë për të vërtetën”- deklaroi Hyseni.

Ai theksoi që “Prokuroria duhet të bëj detyrën, duhet të hetojë dhe të japë drejtësi, kush ka abuzuar me detyrën do të përgjgiet”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.