101-vjetori i Kongresit të Lushnjës/ Kuvendi, tempull i demokracisë shqiptare, garant i Kushtetutës

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta përkujtoi sot 101-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.

“Uniteti rreth çështjes kombëtare, mblodhi 101 vjet më parë në Lushnjë, apostujt e shqiptarisë, për të marrë vendimet më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe rimëkëmbjes së shtetit modern shqiptar”, u shpreh presidenti Meta.

“Vetëm disa ditë iu deshën burrave të ndritur të kombit, që të bashkuar në Kongresin e Lushnjës, të garantonin pavdekshmërinë e shtetit, të ndërtonin një Parlament dinjitoz e të ligjshëm, të nxirrnin akte kushtetuese efikase, të zgjidhnin një Qeveri të përgjegjshme, të vendosnin ligjin në të gjithë territorin dhe të prezantonin me dinjitet Shqipërinë përpara botës”, tha Meta.

“Nëse nuk do të ishte ky Kongres, edhe Pavarësia e Shqipërisë do të ishte venitur”, nënvizoi Meta.

Meta shprehu, “nderim përjetë burrave të kombit, që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, të pavarur dhe sovran, vepra e të cilëve u përjetësua në vargjet përherë aktuale:
“Atdheu ty po të thërret,
Ta shpëtosh ti nga kjo natë.
Sikur tym e flakë të dal nga faqe e dheut,
Shkrepëtim të bjerë e flakë,
Bëj detyrën që ke kundrejt Atdheut,
Mos kurse as shpirt as gjak”.

101-vjetori i Kongresit të Lushnjës/ Ruçi: Kuvendi, tempull i demokracisë shqiptare, garant i Kushtetutës

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti sot me një mesazh të veçantë 101-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.

“Në përfundim të Luftës së parë Botërore, kur shqiptarët prisnin që atyre tu bashkoheshin edhe gjysma e bashkëkombësave mbetur jashtë shtetit  kombëtar, tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha europiane fituese, vendosën të çbëjnë edhe vendimin gjysmak që kishin marrë vite më parë dhe të ricoptonin Shqipërinë. Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të rënda të ekzistencës së tij. Koha bënte apel për veprim. Pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat patriotë, në 21 Janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morrën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar”, – tha Ruçi.

Kryeparlamentari Ruçi theksoi se “këta burra, magjistratë të parlamentarizmit shqiptar, u betuan në flamurin e pavarësisë, përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive europiane, Presidentit e Kongresit Amerikan mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. Zëri shpëtimtar i Presidentit Wodrooë Wilson ndali projektin famëkeq për coptimin e Shqipërisë”.

“Një nga vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës ishte zgjedhja e Këshillit Kombëtar, me atributet e institucionit legjislativ të vëndit. Me këtë akt, i pari pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, fillon historia 100-vjeçare e parlamentarizmit shqiptar, i cili ka hyrë tashmë në shekullin e dytë të jetës”, – nënvizoi Ruçi.

Gjatë një shekulli jetë, vijoi Ruçi, parlamentarizmi shqiptar ka kaluar shumë sfida dhe ka dhënë një kontribut të rëndëishëm në kryerjen e reformave dhe zbatimin e masave shtetformuese, zhvillimin e vendit, ngritjen e institucioneve dhe pushteteve të pavarura.

“Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët e tij gjatë tri dekadave të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, shtetit ligjor, hartimin dhe miratimin e Kushtetutës, korpusit të ligjeve të harmonizuara me legjislacionin europian, paketës ligjore për reformën në drejtësi, ndërtimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”, – tha Ruçi.

Sipas tij, Kuvendi ka kontributin e vet të pazëvëndësueshëm për integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike dhe institucionet e tjera ndërkombëtare: në NATO, BE, Këshillin e Evropës, OSBE e në organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale.

“Vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian është një ndër arritjet më të mëdha të Shqipërisë gjatë dekadave të fundit. Tashmë ne jemi në pritje të mbajtjes së tryezës së parë ndërqeveritare. 100 vjet parlamentarizëm nuk janë pak për të reflektuar e nxjerrë mësime për të ardhmen”, tha Ruçi.

Sot, duke hyrë në shekullin e dytë të jetës së parlamentarizmit shqiptar, Ruçi u shpreh se “është koha të reflektojmë për rrugën e gjatë që kemi përpara, për ta fuqizuar Kuvendin si një institucion përbashkues e të respektuar të fjalës së urtë, të debateve të kulturuara rreth alternativave për zgjidhjen e problemeve dhe kapërcimin e sfidave të zhvillimit dhe të së ardhmes së Shqipërisë. Për të konsoliduar rolin e Kuvendit si tempull i demokracisë shqiptare dhe garant i Kushtetutës”.

“Ka mjaft prova që tregojnë se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë. Demokracia arrihet dhe fuqizohet duke luftuar përditë për të. Kuptohet, me mjetet që jep vetë demokracia. Në demokraci, vota është më e fortë se çdo mjet tjetër”, përfundon mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Ruçi./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.