Titulli “Mjeshtër i Madh” për sportistët e njohur, Shkëlqim Muça dhe Enis Terihati

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” futbollistin e shquar të ekipit “17 Nëntori” dhe Ekipit Kombëtar, Shkëlqim Muça, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për talentin, cilësitë e shquara dhe kontributin e spikatur, në sukseset e ekipit ’17 Nëntori’ dhe Ekipit Kombëtar.

Në ceremoninë e zhvilluar në presidencë, Meta tha se “Shkëlqim Muça është një nga talentet e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar, i cili ka luajtur me shumë sukses dhe ka një kontribut të jashtëzakonshëm në rezultatet e ekipit “17 Nëntori” në atë kohë dhe “KF Tirana” sot dhe padyshim tek Ekipet Kombëtare, si një nga mesfushorët, organizatorët, dirigjentët, dhe sulmuesit më të spikatur të tyre”.

“Cilësitë e tij të shkëlqyera fizike dhe teknike e bënë atë të dallohet dhe të shkëlqejë menjëherë duke u bërë truri dhe protagonisti i shumë arritjeve të “17 Nëntorit”, por edhe Ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin e veçantë si titullar në vitin 1981 me Ekipin Kombëtar “Shpresa” si kampion të Ballkanit, për të vazhduar me disa tituj kampion kombëtar me “17 Nëntori”-n dhe me disa Kupa të Republikës. Muça ishte një lojtar me aftësi të jashtëzakonshme, ishte jo vetëm një organizator, jo vetëm një dirigjent, jo vetëm një frymëzues, por të gjithë e mbajnë mend se ishte edhe një sulmues i jashtëzakonshëm.”, vlerësoi ai.

Kur ai bashkohej në sulm me Mingën dhe Kolën, tha Meta, ishte një treshe jashtëzakonisht e frikshme për kundërshtarët dhe mjaft rezultative, po të kemi parasysh se kjo treshe shënoi rreth 400 gola dhe Muça vet 87 të tillë, përveç edhe shumë asisteve.

“Ai do të mbahet mend jo vetëm për fantazinë e tij të jashtëzakonshme dhe befasuese, por njëkohësisht edhe për faktin që studioi për inxhinieri dhe u përpoq të bënte një lojë sa më inxhinierike, rezultative dhe efikase”, u shpreh Meta.

Po, sot presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, dekoroi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” volejbollistin e spikatur të “Dinamos” dhe Ekipit Kombëtar, Enis Terihati, me motivacionin: “Për kontributin e madh dhe mjeshtërinë në arritjen e rezultateve të larta me ekipin e volejbollit ‘Dinamo’ dhe Ekipin Kombëtar. Lojtar i dalluar në suksesin më të madh të ‘Dinamos’, duke u renditur në katër skuadrat më të mira të Europës. Pedagog i përgatitur, i dashur dhe i respektuar; shembull dinjiteti i qytetarit të kulturuar”.

Në përshëndetjen e tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të volejbollit dhe sportit shqiptar, Kreu i Shtetit u shpreh se, “profesor Enis Terihati ka një kontribut të shquar në zhvillimin dhe rezultatet e ekipit të volejbollit “Dinamo”, por edhe Ekipit Kombëtar. Ai e ka nisur karrierën e tij sportive në vitin 1961 për t’u bërë titullar i ekipit të madh të “Dinamos” në vitet 1966 – 1980”.

“Enis Terihati ose siç e quanin në sportin e volejbollit Niska, ka qenë një lojtar jashtëzakonisht i kompletuar dhe tepër me autoritet. Në ato vite, ai i përkiste volejbollistëve shtatlartë, të rrallë në volejbollin e asaj kohe. Ai karakterizohej nga një inteligjencë sportive, që kishte lidhje me kulturën familjare dhe me formimin e tij intelektual”, tha Meta.

“Një lojtar që nuk shfaqte në lojë emocione negative, i qetë, i saktë dhe i përgatitur për çdo situatë. Një lojtar i spikatur sidomos në lojën nga qendra me topin e shkurtër, sa ky element përbënte një çelës individual suksesi për skuadrën e madhe “Dinamo”, por edhe për Ekipin Kombëtar”, u shpreh Meta.

“Ai gjithashtu ka qenë një lojtar bllokues i shkëlqyer, sa çdo kundërshtar duhet t’i bënte mirë llogaritë përballë tij. Por një nga cilësitë e domosdoshme në lojën e tij ishte karakteri gjithmonë pozitiv dhe sjellja e tij në frymën e skuadrës. Ka qenë dhe mbetet një shembull i lojtarit Fair-Play pavarësisht nga zhvillimet e ndeshjes. Korrekt me arbitrat dhe i dashur për tifozët dhe sportdashësit e volejbollit”, u shpreh Meta.

“Ai ka qenë titullar i “Dinamos” së madhe në vitin 1972 kur ajo u rendit në 4 skuadrat më të mira të Europës, që do ta ëndërronim sot, të përsëritej për çdo skuadër shqiptare. Po kështu ka qenë titullar i “Dinamos” në fitimin e 15 titujve kampion dhe 9 herë të Kupës së Republikës”, theksoi Presidenti Meta.

“Profesor Niska numëron mbi 40 ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar dhe mbi 100 ndeshje ndërkombëtare zyrtare dhe miqësore me ekipin “Dinamo”. Duke e uruar ish-profesorin tim në shkollën e mesme ‘Sami Frashëri’, dua t’i përcjell vlerësimet më të mira edhe trajnerit legjendar të “Dinamos”, mjeshtrit të madh Vangjel Koja, i cili me pasionin dhe punën e tij të palodhur ka arritur të formojë volejbollistë të këtij kalibri, por edhe shumë të tjerë, një pjesë e të cilëve na nderojnë sot, por edhe të tjerë që nuk kanë pasur mundësi për arsye të kufizimeve, që të jenë sot të pranishëm”, përfundoi Presidenti Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.